Nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, ka ardhur reagimi i parë mbi ngjarjet e ndodhura në Bucha të Ukrainës, ku qindra persona janë gjetur rrugëve të vrarë, me duar të lidhura pas shpine, si edhe disa varre masive janë zbuluar.
Kjo, sipas kryediplomates shqiptare, është “treguesi më i qartë deri tani, i natyrës së vërtetë kriminale të regjimit rus”.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Xhaçka ka shkruar se është e tronditur nga provat e krimeve të kryera nga Ushtria ruse në Bucha.
Sipas numrit një të diplomacisë shqiptare, bota duhet të veprojë menjëherë.
Teksa, si pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo ka garantuar se Shqipëria do të punojë ngushtësisht me aleatët, për të bërë të mundur hetimin e plotë dhe dokumentimin e duhur të ngjarjeve.
Në ngjarjen e Bucha-s, qindra persona kanë mbetur të vrarë sipas raportimeve.
Rrugëve të qytetit, janë gjendur njerëz të ekzekutuar me duart të lidhura pas shpine.
Varre masive po ashtu janë gjetur, me më shumë se 200 persona të groposur brenda.
Akti është dënuar nga krerët më të lartë perëndimorë, ku edhe kërkuar një hetim i plotë i pavarur ndërkombëtar, si edhe drejtësi nga gjykatat, të cilat kanë për detyrë të marrin vendimet më të ashpra nëse faktohet gjenocidi rus në Bucha.