Nga 1 Shtatori, Shqipëria do të marrë sërish presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Ministrja për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat, theksoi se marrja e presidencës vjen në një kohë të vështirë kur bota po përballet me një sërë krizah dhe konfliktesh.

Ministrja theksoi se tashmë Shqipëria ulet si vend me një eksperiencë të vyer në Këshillin e Sigurimit ndërsa përmendi edhe dy nismat kryesore që do të jenë në fokus të axhendës për shtatorin: bashkëpunimi për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe konflikti rus në Ukrainë.

Xhaçka theksoi se Shqipëria ka punuar për të sjellë një platformë bashkëpunimi për të garantuar shpërndarjen e ndihmave humanitare nëpër botë, nismë e cila, sipas ministres, është pritur shumë mirë. Ndërsa për Ukrainën, do të organizohet një debat i nivelit të lartë për të analizuar pasojat e luftës.

Pjesë nga fjala e ministres Xhaçka:

Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence, dy aktivitetet shënjuese të Presidencës sonë të cilat unë dua të ndaj me ju.

Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative, për të cilën punojmë prej thuajse dy vjetësh, dhe që e kemi përfshirë në agjendën e Këshillit për muajin shtator. Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.

Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare, e në anën tjetër do të përmirësojë e do të bëjë më të shpejtë e efikase mënyrën sesi shpërndahen këto ndihma e kontribute, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atje ku ka realisht nevojë.

Bëhet fjalë pra, për të mbledhur së bashku, në një platformë inovative bashkëpunimi korporata e biznese të mëdha të cilat duan të japin kontributin e tyre humanitar, por kanë vështirësi për ta bërë këtë përmes mekanizmave e instrumenteve ekzistuese të sistemit të OKB e që për këtë arsye kanë zgjedhur të punojnë bashkë me ne për të ndërtuar një platformë të re. Ideja është pritur mjaft mirë, ka gjetur mjaft mbështetje nga aktorë e grupe interesi, dhe vendit tonë i takon merita që ka qenë jo vetëm një nga iniciatorët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj iniciative, por edhe që e ka sjellë atë në vëmendje të Këshillit të Sigurimit.

Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë, natyrisht do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një çështje e cila realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB, Ukrainën e për të dënuar Rusinë.

Në këtë kontekst, ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar.

Natyrisht, që gjatë shtatorit do të ketë edhe shumë aktivitete e ngjarje të tjera të rëndësishme sepse agjenda e Këshillit të Sigurimit është vërtet intensive. Jo vetëm kaq, por gjatë shtatorit siç e dini, zhvillohet edhe java e nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OKB. Por aktivitetet që ju prezantova më lart, janë padyshim momentet kulmore të Presidencës tonë. Janë dy aktivitete shënjuese për të cilat është punuar vërtet shumë dhe që jam e sigurt që do të lënë gjurmë duke konsoliduar emrin e mirë dhe performancën e suksesshme të vendit tonë në Këshilin e Sigurimit.