Në kulmin e akuzave të medias dhe opozitës për tendera të dyshimtë dhe konçensione milionësh, kryeministri Rama zbret në bazë për të ndërmarrë një fushatë , që do t’i tregojë qytetarëve arritjet e qeverisë së tij në këto dy vjet. “Për të pastruar më tej Shqipërinë” është slogani i fushatës që Rama e nisi sot nga qyteti i Korçës dhe pritet të shëtisë qytet më qytet të Shqipërisë.
Fushata që më shumë duhet parë si një operacion marketingu, vjen një vit para zgjedhjeve të përgjithshme dhe në fazën kur Partia Socialiste ka nisur riorganizimin e strukturave të saj. Edhe pse ai dhe aleati Ilir Meta arritën të fitonin zgjedhjet vendore të 21 qershorit, rezultatet në shumë sektorë janë të këqija.
Gropa e madhe e mosrealizimeve në Tatime dhe Dogana nuk arriti të mbushej as me aksionin kundër evazionit fiskal. Opozita akuzon se paratë e munguara nga arka e shtetit kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe klientëve të kryeministrit. Në dy vjet qeverisje nuk ka investime të huaja direkte, konsumi është ulur, ndërsa papunësia sidomos në radhët e të rinjve është rritur.
Ikjet në kërkim të azilit drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera vazhdojnë të jenë të larta. Në Për nga numri i kërkesave për azil, në Gjermani shqiptarrët janë në vend të dytë pas sirianëve. Por kryeministri thotë se ekonomia ishte në buzë të greminës dy vjet më parë, prandaj gjallërimi i saj kërkon kohë. Gjatë fjalës së tij sot në Korcë, ai tha se jeton ngushtësisht më vështirësitë e njerëzve.
“Unë nuk hyj tek ata që besojnë se qeveria mund të bëjë mrekullira vetëm dhe e vetme, apo të ketë një kryeministër që t’i thotë duhet të jeni shend e verë se ekonomia po shkon mirë. Unë besoj se hyj tek ata kryeministra që në këtë detyrë jetojmë ngushtësisht me ndjesinë e vështirësisë së njerëzve dhe sa më në vështirësi njerëzit aq më i fortë është kryeministri. Besoj se hyj tek ata që jetojnë ngushtësisht me ndjesinë se çdo ditë duhet bërë diçka dhe më shumë dhe se çdo përpjekje ja vlen në këtë aspekt se pavarësisht çdo përpjekje përsëri do të ketë ende më shumë për të bërë”- tha Rama.
Kryeministri ka folur edhe për bashkimin e Partisë Socialiste dhe ambicjen për të pasur 150 mijë anëtarrë.
“Na duhet të bashkojmë PS të bashkojmë fuqitë me ata që janë të kthjellët se kjo është e vetmja rruga. Për ata që janë në PS duhet të kuptojë se kemi nevojë për të pasur edhe të tjerë mes nesh, dhe kur nuk janë pjesë të kuptojnë se këtu është forca ku mund të japësh një kontribut sado të vogël për të pastruar më tej Shqipërinë”, tha Rama.
Por mbetet për t’u parë se si dha sa Rama do ta pastrojë më tej Shqipërinë, në kohën kur edhe miqtë e tij të ngushtë i kërkojnë që ai të pastrojë më parë vetëveten, duke u shkëputur nga klientët e pushtetit të Berishës. Kujtojmë këtu letrën publike qe Veton Suroi i dërgoi para disa ditësh. Mbetet për t’u parë se si dha sa Rama do e pastrojë më tej Shqipërinë, kur ditë pas dite zbulohen lista me emërime partike në administratë, zbulohen afera me tendera e konçensione të dyshimta, zbulohen leje ndërtimi klienteliste njësoj si në kohën e qeverisjes së Berishës. Edhe pse me kokëfortësi Rama refuzon të pranojë që këtu janë të gjithë njësoj.