Uashington (AFP) – Presidenti i SHBA Donald Trump ka denoncuar gjyqin e tij të impeachmentit të enjten ndërsa Demokratët përgatiteshin për të përmbledhur kauzën e tyre në Senat mbi atë se pse ai duhet të hiqet nga detyra.

Trump, i cili u kthye në Uashington vonë të Mërkurën nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, e filloi ditën e tij me një seri tweetimesh të zemëruara në mëngjes herët nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Republikan akuzoi Demokratët nga Dhoma e Përfaqësuesve se kishin bërë një kauzë për impeachmentin e tij në Senat që ishte “e ngarkuar me gënjeshtra dhe keqinterpretime”.

Ai sulmoi Adam Schiff, kryeprokurorin e Dhomës, në terma të qarta personale, duke e quajtur atë “dredharaku Schiff”, dhe duke ritweetuar kritikat ndaj ligjvënësit të Kalifornisë, të bëra nga mbështetësit e presidentit në rrjetin televiziv Fox News.

Schiff dhe prokurorët e tjerë të Dhomës Demokratike paraqitën argumentet e tyre të hapjes në Senatin e kontrolluar nga Republikanët të Mërkurën, duke akuzuar Trumpin se kërkonte të mashtronte në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Trump është akuzuar për mbajtjen e ndihmës ushtarake te Ukrainës për ti bërë presion homologut të tij Ukrainas që të shpallte një hetim për rivalin e mundshëm presidencial të nëntorit Joe Biden.

“Presidenti Trump i mbajti qindra miliona dollarë ndihmë ushtarake një partneri strategjik në luftë me Rusinë për të siguruar ndihmën e huaj me rizgjedhjen e tij,” tha Schiff. “Me fjalë të tjera, të mashtrosh.”

“Dhe kur u kap, ai përdori fuqitë e zyrës së tij për të penguar hetimin për sjelljen e tij të keqe,” tha Schiff, i cili drejtoi hetimin që çoi në impeachmentin e Trump ne 18 Dhjetor nga Dhoma e kontrolluar nga Demokratët.

Dhoma e Demokratëve ka gjithsej 24 orë për të paraqitur versionin e vet që Trump është fajtor për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit.

Ata janë planifikuar të rifillojnë prezantimin e tyre në 1:00 pasdite (1800 GMT) të enjten.

Pas shtrimit të provave të hollësishme kundër Trump të Mërkurën, ata pritet të përqendrohen të enjten në aspektet ligjore dhe kushtetuese të çështjes.

Juristët e Shtëpisë së Bardhë më pas do të kenë 24 orë, me gjasë duke filluar nga e shtuna, për të paraqitur mbrojtjen e tyre ndaj Trump, presidenti i tretë në historinë e SH.B.A.-së që përballet me një proces gjyqësor për impeachment.

Senatorët pastaj do të jenë në gjendje të bëjnë pyetje të shkruara për tu lexuar me zë të lartë nga Kreu i Gjykatës Supreme të SHBA John Roberts, i cili po kryeson gjyqin.

– “Mbillen farat e para” –

Senatori Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicave në Senat, vlerësoi performancën e prokurorëve të Dhomës, të njohur si “menaxherë të impeachmentit”, dhe tha se ai mendon se argumentet e tyre janë ne rezonance me disa nga kolegët e tij Republikanë.

“Ndërsa menaxher pas menaxheri u ngritën për të paraqitur provat e grumbulluara kundër Presidentit në detaje të sakta dhe shkatërruese, atmosfera e Senatit mori një dimension krejtësisht tjetër”, u tha Schumer gazetarëve të enjten.

“Mund të ketë qenë hera e parë që shumë nga kolegët e mi Republikanë e dëgjuan historinë e plotë, narracionin e plotë nga fillimi deri në fund, të pandërprerë,” tha senatori Demokrat nga New York.

“Kjo mund të ketë mbjellë farën e parë në mendjet e tyre që, po, mbase presidenti bëri diçka shumë të gabuar këtu.”

Schiff u bëri apel 100 anëtarëve të Senatit për të lënë mënjanë partizanllëkun në vendosjen e fatit të Trump, duke shoqëruar fjalët e tij me video të dëshmisë së hetimit të Dhomës dhe klipeve të fjalëve të vetë presidentit.

Republikanët, të cilët kanë një avantazh 53-47 në Senat, kanë treguar pak prirje, megjithatë, të thyejnë radhët me një president që ka një histori të shkatërrojë ashpër armiqtë e tij të perceptuar.

Gjashtëdhjetë e shtatë senatorë, një shumicë prej dy të tretave, janë të nevojshme për të hequr Trump nga detyra dhe një seri votimesh të martën në rregullat bazë të gjykimit ndoqën linja të rrepta partiake.

Në votim pas votimi, Republikanët rrëzuan përpjekjet e përsëritura të Demokratëve të Senatit për të futur në gjyq dëshmitarë dhe dokumente të reja të Shtëpisë së Bardhë.

Veritas.com.al/