Maqedonia ka arritur një rezultat spektakolar duke u renditur në vendin e 12 në botë. Shteti fqinj, që po tregohet shumë agresiv në konkurrencën rajonale për tërheqjen e investitorëve renditet i dyti në botë për nisjen e një biznesi, i 10i për marrjen e lejeve të ndërtimit, i shtati për pagimin e taksave…
Me përkeqësimin e renditjes “Doing business 2016”, Shqipëria është pozicionuar përfundimisht në vendin më të keq në rajon për të bërë biznes, çka pritet të ndikojë ndjeshëm në tërheqjen e investimeve të huaja. Shqipëria ka zbritur 35 vende në raportin e “Doing Business 2016”, të publikuar nga Banka Botërore, duke shënuar rezultatin më negativ të viteve të fundit. Shqipëria renditet në vendin e 97, nga pozicioni i 62 ku ishte një vit më parë, ndërsa është ulur me 6.27 pikë. Të gjitha vendet e tjera janë përmirësuar ndjeshëm dhe shumica e tyre kanë marrë vlerësimin maksimal.
BB-te-berit-biznes-650×449“Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është ekonomia me renditjen më të lartë në rajon, në vendin 12 nga 189 ekonomi nga e gjithë bota. Ky vend ka rezultat të shkëlqyer në disa fusha të lehtësisë së të bërit biznes, si edhe ka ndërmarrë reforma në vitin e fundit.
Për shembull, IRJ e Maqedonisë e ka thjeshtuar më tej procesin e hapjes së një biznesi duke futur detyrimin për regjistrimin online. Si rezultat, tani ky vend është vendi i dytë në botë me ecurinë më të mirë në fushën e hapjes së biznesit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bankës Botërore.
Para Shqipërisë në renditje janë dhe Kroacia, në vendin e 40; Mali i Zi në pozicionin e 46 (dhe ai me një rezultat pozitiv); Serbia në pozicionin e 59 (edhe ai me vlerësim të mirë); Kosova në të 66 (me vlerësim pozitiv); Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 79 (me rezultat pozitiv). Bosnja ka qenë historikisht shteti që është renditur më keq se Shqipëria, për shkak të burokracisë së dy entiteteve dhe barrierave të mëdha administrative, por këtë vit edhe ai ia ka kaluar Shqipërisë./ Monitor