Nga Pëllumb Kulla
Është një pushtim që po bëhet ngadalë me dhelpërinë më të madhe. Në historinë e njerëzimit, pushtimi më djallëzor mbahej ai i Trojës, me atë dhurimin e Kalit të Drunjtë, që e kish barkun mbushur me grekë.Okupimi i Amerikës nga shqiptarët e bën legjendën trojane të duket një kukamshefthi prej kalamanësh.
I shpikën arsyet: gjoja në Shqipëri nuk bëjnë pushim diktaturat ndjekin njëra-tjetrën; jo po hallet e ekonomisë s’mbarojnë; jo po ka armë pa kontroll nëpër duar të kriminelëve; jo po gjoja nuk ka ujë dhe drita… Pallavra! Nuk ka ujë Shqipëria! Ha-ha-ha! Kush e gëlltit këtë? Vetëm syleshët amerikanë!
Është hapur me dashje nami, se politikanët në Shqipëri nuk gjejnë gjuhë të përbashkët; gjoja ministrat janë hajdutë dhe vjedhin edhe të djelave; gjoja partitë zihen e përfyten kush-e-kush të zerë vend nën sisët e lopës mëmëdhé; e njëmijë e një të zeza! Vetëm si e si të mbulojnë dërgimin e divizioneve!
Edhe më i humburi, – (veç amerikanëve! E thamë këtë!), – edhe më i shushaturi e kupton, që këto janë inskenime djallëzore për të justifikuar armatën shqiptare të pushtimit të Shteteve të Bashkuara, këtë mësymje moderne, që bota s’e pat parë.
Shqiptarët njohin mbi kurrizin e tyre shumë robërira, por dale, dale!… Ta shohë tani, bota, robërinë nga shqiptarët! O nëne, o nëne!
Dhe ushtarët, tani nuk janë më si dikur, me uniforma dhe helmeta. As që bëhet fjalë për kryqëzorë e aeroplanëmbajtëse. E shumta shqipot përdorin ca skafe që i hedhin deri në Itali. Skafe, ore, skafe! Barka, që fusin ujë!
Në Amerikë shqipot nuk hyjnë kurrë të grupuar, në korparmata, por një nga një: ca me viza të sajuara, ca nga përrenjtë e Kanadasë, ca nga malet e Meksikës e ca të tjerë fshehur nëpër vapora tregëtarë grekë. Ka ikur koha e zbarkimit me aeroplanë ushtarakë dhe me parashuta! Jooooooo! Vetë vendi që pushtohet nuk e merr vesh se si i sjell pushtuesit me aeroplanët e vet të pasagjerëve, me Dellta Erllajns, me Junajtid, Xhetbllu, Xhetrozë e bojë jargavani!… E kompani të tjera ajrore me emra të ngatërruar, që luftëtarët trima shqiptarë, më mirë vriten se s’i shqiptojnë dot!
Ushtarët shqiptarë tani maskohen e shndërrohen në hallexhinj, si qënie të rraskapitura nga diktaturat e gjata dhe nga pasdiktatura e stërmundimshme. Hiqen si të persekutuar, që gjoja nuk e kanë marrë këstin e dytë të përndjekjes dhe pronat, që kanë pasur… Ca e ca, me mjete shkencore të sofistikuara,
Ca, bile, fshihen brenda në barqet e grave shtatzëna, – u merr të keqen Kali i Trojës! – e dalin në dritë, fuuup!… nëpër maternitete amerikane!
Janë që të gjithë ushtarë. Ushtarë, or ushtarë! Shtiren si bebe, por janë ushtarë të stërvitur të pushtimit!
CIA amerikane tanimë ka dhënë prova, që po i ha mashtrimet njërin pas tjetrit. Ja, fjala vjen, kuturis e paraqitet në aeroportin e Nju Jorkut një plak azmatik. E thotë që ka lënë Shqipërinë, se atje megjithëse pat shkrirë tërë energjitë thellë në miniera, tani i japin një pension prej as 100 dollarësh në muaj! I bien lapsit shërbimet sekrete amerikane dhe gjejnë se me çmimet shqiptare, laboratorikisht, me ato para, ky njeri, ëhë! – mund të jetojë vetëm 15 ditë të muajit e 15 të tjerat duhet të rrijë pa ngrënë, gjë që, jo ditën e tridhjetë, por që në të gjashtëmbëdhjetën, duhet t’i kthejë këmbët nga dielli. Dërgohen agjentët amerikanë në Shqipëri, pyesin në zyrat e pensioneve e marrin përgjigjen, se pohimet e plakut janë të sakta! Zbuluesit amerikanë mbledhin supet e ngrejnë duart. Ooo, maj Gad!
Shumë i kokolepsur lëmshi! Po si është e vërteta, asëll-asëll? E vërteta është se zyrat e pensioneve, ku kanë pyetur amerikanët, janë çerdhe të kundërzbulimit ushtarak shqiptar, se plaku azmatik nuk është hiç azmatik, bile nuk është as plak, oreee!.. por një burrë i fuqishëm tridhjetë vjeçar, komandant i njërit prej divizioneve!
Është fillimi i një epoke të re. Epërsia amerikane, si të gjitha epërsitë, do ta kishte dhe ajo një fund. Po na e merr të keqen!
Ja, këtë po e bën pushtimi shqiptar, kjo mrekulli e kohërave moderne.