Frrok Çupi/

Shtëpitë e banorëve të ‘shënjuar’ për t’u shembur në zonën e ‘Unazës së Re’ në Tiranë, nuk janë shtëpi të atyre banorëve që i banojnë. Ata kanë jetuar si në ‘trans’, duke ushqyer fëmijët me ide futuriste se ‘ja, tani kemi shtëpi në Tiranë!’.

Shtëpitë e ‘unazorëve’ pranë ish- shqiponjës, në fakt, janë shtëpi të Politikës. Ndodh njësoj si në habitatet e Ku- Klus- Klanit dhe Komunizmit, ku njeriu i vuajtur mendon se padroni i bëri një favor të madh duke i dhënë një pronë; por  individi nuk e di se prona i përket ‘organizatës’. Të paktën, periudhën e komunizmit e kemi prekur: Të gjithë kishin shtëpi, por askush nuk kishte shtëpi! Njerëzit kanë jetuar si në konvikte, shtëpia ishte e Partisë, ti mund të dilje për pesë minuta.

Kjo është çfarë po jetojnë sot ‘unazorët’ pranë shqiponjës, por që nuk kuptojnë.

Politika vjen këtu herë pas herë ( ja si tani)  dhe iu tund gishtin: ‘shtëpia është imja’. Kësaj jave shtëpitë u përkasin dy partive politike: PD dhe LSI. Më parë i kishte PS. Politikanët janë betuar që çdo ditë të trokasin në dyert e tyre dhe t’u thonë: “Ej!, dilni nga shtëpitë, mblidhuni në protestë!” Protesta i duhet Partisë për të marrë pushtet. Nëse nuk del në protestë, atëherë në shtëpi të vihet edhe një kryq tjetër, por që ti nuk e sheh.

Sapo banorët ndjenë se po u rrezikoheshin banesat, menjëherë u shfaq Politika dhe u hyri brenda si pronare. Sado që të protestojnë dhe të lënë kockat në rrugë, askush nuk i dëgjon dhe as bindet se ‘po luftojnë për shtëpinë’; banorët dhe banesat janë sekuestruar nga Politika. Ca orë të ditës,  i dashur ‘astiras’, shtëpia jote quhet ‘e PD-së’ dhe disa orë më vonë quhet ‘e LSI’.

Nga një gjë humane, individuale, e ndjeshme- sa ç’është ndjenja njerëzore-, tanimë çështja e shtëpive ka marrë kuptimin e akullt të politikës. Edhe sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të mbërrijnë këta banorë, burrat e botës do të kthejnë shpinën dhe do të përgjigjen: “Aha, ajo çështja politike’… Shtëpia dhe njeriu tani janë tjetër gjë veçse ‘çështje politike’.

Ka disa zona në Shqipëri, ku regjimi i diktaturës komuniste ka të njëjtin kuptim mafioz mbi banorët e vendit. Zona e Astirit është tipike, ‘oaz’ ku krijesat kanë lidhur marrëveshje skllavëruese  me Politikën.

Lidhja e parë: Vitet 90, dhe nuk u zgjidh kurrë më.

Njerëz nga mbarë vendi, Veri e Jug, ndjenë erën e lirisë dhe njëkohësisht shitën lirinë. U dynden drejt Tiranës për një jetë ‘të ëndërruar’. Këtu u hapi dyert një ligj i konsideruar ‘ligj monster’ që ka numrin 7501. Ky ligj ia mori pronën dikujt e ia dha dikujt tjetër; litari i sundimit të Partisë mbeti jashtë. Banorët e Astirit shitën shpirtin te Partia që sundonte atëherë dhe iu betuan se ‘veç për ty votojmë’. Kjo zonë është çmuar si rezervat peshku: Sa herë Partia donte vota, fuste rrjetën. Njeriu i shkretë ishte lidhur përmes shtëpisë.

Lidhja e dytë, pasi u trondit lidhja e parë:

Kur u trondit besimi te PD që i solli në Tiranë,  banorët votuan për Partinë tjetër. Në atë kohë kur këta i kthyen kurrizin PD-së, zona nuk quhej Astir, por ‘te vila e Ilir Metës’. Fjalë nga populli tregojnë se pronari më i madh në këtë zonë është vetë Iliri ( president i republikës) dhe bashkëshortja ( kryetare e LSI). Me këtë ganxhë pushteti: Ilir- Monika, këta banorë nuk kanë si shpëtojnë: Shtëpitë i përkasin padronit. Sa herë vjen Monika e LSI, vjen e shikon shtëpitë, jo njerëzit.

Dhe së fundi: Varësia nga PS.

Në zgjedhjet e kaluara banorët ‘astiras’ deshën të shpëtonin nga partitë e mëparshme dhe i besuan PS-së. PS-së tani nuk i duhen më vota, por iu duhet fusha e lirë. Përplasja me banorët nuk bëhet për shkak të Unazës së Re, as për shkak të të drejtave të njeriut, as për shkak të keqardhjes për banorët: Këtu përplasen padronët e vërtetë të shtëpive: Ata që ishin ( dy partitë) nuk duan t’i lënë shtëpitë që të shemben, sepse u shemben ‘1000 vota’- siç tha sot kryetari i PD. Ndërsa PS do t’i shembë që të ndërtojë rrugë për të fituar kredibilitet në 3 milionë njerëz…

S’e di çfarë duhet biseduar me ‘astirasit’, ata prapë janë si në trans! A mos vallë u duhet thënë: ‘shpëtoni një herë e mirë’ qoftë edhe pa kaq shumë shtëpi sa keni!.

Veritas.com.al/