‘Shteti ynë do të jetë një shtet vërtet i vogël shpirtëror dhe administrativ… por me zemër të madhe”. Kështu ka deklaruar Baba Mondi në një intervistë për AFP, e cila i ka kushtuar një artikull idesë së krijimit të një shteti bektashi brenda kufijve të territorit shqiptar, ide që u zbulua nga kryeministri Edi Rama vitin e kaluar.

“E gjithë bota do të mund të shohë dritën e bektashinjve”, ka thënë Baba Mondi.

Në artikull thuhet se krijimi i një shteti fetar në Shqipëri do të ishte i paimagjinueshëm gjatë diktaturës komuniste katër dekadash të Enver Hoxhës, i cili ndaloi plotësisht fenë dhe persekutoi klerikët dhe priftërinjtë.

“Qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, u burgosën ose u dërguan në mërgim, ndërsa vendet e adhurimit u shkatërruan. Por që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, ka pasur një vërshim të shprehjes fetare në shumë cepa të Shqipërisë. Bektashinjtë renditen si komuniteti i katërt më i madh fetar në Shqipëri, pas myslimanëve sunitë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve.”, thuhet në artikull.

Megjithase detajet burokratike ende nuk dihen, Baba Mondi ka zbuluar planet për këtë projekt.

“Ky shtet nuk do të ketë as polici, as ushtri, as taksa, do të jetë shpirtëror. Qëllimi i saj do të jetë organizimi dhe mbrojtja e bektashinjve në mbarë botën”, ka thënë Baba Mondi në intervistë, duke shtuar se “shteti bektashi do të avokonte gjithashtu për anëtarët e persekutuar që jetojnë në vende ku ata nuk kanë të drejtë të praktikojnë fenë e tyre “si në Turqi apo Iran”.

Shteti i ardhshëm do të vendoset në tokën ku tashmë ndodhet një tempull bektashian në Tiranë dhe do të zërë vetëm 0,11 kilometër katror (0,04 milje katrorë), duke e bërë atë vendin më të vogël në tokë. Vatikani aktualisht mban titullin me vetëm 0,44 kilometra katrorë territor.

Ndryshe nga besimet më konservatore të Islamit, besimtarët bektashi, burra dhe gra adhurojnë së bashku dhe konsumimi i alkoolit lejohet, nëse nuk inkurajohet.

“Rakia, ashtu si qumështi i nënës, ka përfitime, sepse shkon drejt e në tru pa kaluar nga stomaku”, tha Baba Mondi, duke iu referuar pijes popullore që është e përhapur gjerësisht në të gjithë Ballkanin.

Praktika është pjesë e një vizioni të përgjithshëm të tolerancës dhe promovimit të harmonisë që është thelbësore për mendimin bektashian, sipas Baba Mondit.

“Kudo që janë, bektashinjtë kanë shprehur gjithmonë dashuri, bujari dhe respekt për njerëzit si krijesat më të përsosura në këtë botë. Ne jemi kundër konflikteve të shkaktuara nga ekstremistët, ne jemi për paqen dhe dashurinë. Bektashizmi ka qenë dhe do të mbetet një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Ne kemi qenë gjithmonë një rrugë e mesme në këtë botë për të treguar se mund të jetojmë me dashuri, paqe dhe mirësi.”/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *