Monumenti i Skënderbeut që ndodhet në sheshin qendror të Tiranës, nga ku edhe vetë sheshi ka marrë emrin “Skënderbeg” është një nga veprat madhore të skulptorit të famshëm Odhise Paskali. Gjykata e Tiranës, vendosi që për përdorimin e veprës së Paskalit, autori të paguhet nga qeveria me shumën 1.86 miliard lekë. Dëmshpërblimi do t’i akordohet vajzës së skulptorit, Floriana Paskali. Vetë skulptori i famshëm, që lindi në Kozani (Greqi) në vitin 1903, ndërroi jetë në Tiranë në shtator të vitit 1985.
Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Floriana Paskalit për dëmshpërblimin e të drejtës së autorit për të atin, Odhisë. Gjithashtu, gjykata pranoi edhe vlerën që mund të shpërblehet shkelja e kësaj të drejte nga shteti shqiptar.
Imazhi i “Skënderbeut” të Paskalit është përdorur, pa lejen e autorit, si Watermark në faqet e pasaportës biometrike të qytetarëve shqiptarë dhe të vizave për jashtë shtetit.
Seanca gjyqësore që i dha të drejtë Floriana Paskali ( e bija e autorit të monumentit) u zhvillua më datën 22 nëntor, nën drejtimin e gjykatëses Brunild Kadi.
/Veritas.com.al/