Falimentimi i bizneseve ka një histori uljeje e ngritjeje. Në fakt, histori uljeje e standby.

Kohët e fundit është shtuar mjaft lista e bizneseve që sipas QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit), kanë kaluar në status pasiv.  Lista që nisi të jetë transparente në pranverë të këtij viti, tashmë ka kapur shifrën 4000 biznese më shumë brenda dy muajve të fundit.

Këtë njofton revista ekonomike Monitor

Në fillim të muajit maj lista e bizneseve që kanë deklaruar në tatime pezullimin e aktivitetit ishte rreth 91 mijë biznese, ndërsa me 1 korrik ku shënohet edhe azhurnimi i fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri i bizneseve pasive arriti në 95,089.

Aplikimi i një sistemi të ri informatik në Tatime dhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore në fillim të vitit që shkoi, kanë mundësuar krijimin e regjistrit pasiv të tatimpaguesve.

Kalimi nga regjistri aktiv në atë pasiv bëhet automatikisht nga sistemi informatik i tatimeve, duke shmangur tërësisht procedurën manuale të inspektorëve tatimore.

Një biznes kalon në regjistrin pasiv kur për një vit rresht nuk ushtron aktivitet tregtar dhe për pasojë nuk bën asnjë deklaratë tatimore. Gjithashtu bizneset pasive duhet të kenë shpallur pezullimin e Veprimtarisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Nisur nga këto zhvillime shihet se rreth gjysma e bizneseve në vend kanë pushuar aktivitetin (nga rreth 180 mijë biznese që raportohen statistikisht). Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra e qindra parregullsi në pasivitetin e regjistruar të këtyre bizneseve ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, shumë prej tyre janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes, shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.