Nga Le Monde/

Shtypi i huaj përqendrohet në aspektin e “rreptë” dhe “konservator” të François Fillon një ditë pas fitores në zgjedhjet e të djathtës dhe qendrës së djathtë.

El Pais, që boton në site-in e vet një foto të François Fillon me dorën në zemër, përmend para sëgjithash besimin fetar të kandidatit të djathtë për president të Francës. E përditëshmja spanjolle flet për një “katolik tradicionalist që do të drejtojë Francën laike” duke kujtuar se “konservatizmi është ideologjia që ka shënjuar jetën e tij”. Gazeta citon fjalët e tij për abortin dhe kundërshtimin e tij ndaj çifteve homoseksuale, duke e përshkruar si një njeri “të besueshëm dhe të parashikueshëm, veçanërisht përsa i përket besimit të tij”

“Katolik i vendosur” por edhe “njeri i rreptë me pamje klasike”, “me vetulla si shkurre” shkruan La Tribune de Genève, që vë në pah “revanshin e dyshit të përjetshëm”, ndërsa për të përditëshmen italiane Corriere della Sera bëhet fjalë për një “triumf prej outsider-i”. I njëjti koment edhe në tabloidin gjerman Das Bild, që nënvizon rrugëtimin e François Fillon nga “nëpunës i Sarkozy- në kampion”.  

Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press insiston më tepër në anën e tij të “ngrysur dhe autoritare” por që gjithësesi nga eksperienca rezulton se ka përkrahje “pavarësisht mungesës së karizmës” dhe si përfaqësues i të djathtës ai mund të ndërmarrë “një revolucion konservator dhe liberal”.

Shtypi i huaj është marrë gjerësisht me programin konservator të ish kryeministrit. Corriere della Sera përmend shkurtimin e 500 000 vendeve të punës në sektorin publik apo edhe heqjen e 35 orëshit të punës. “François Fillon, me mënyrat e tij të rrepta, të zymta dhe garantuese premton një revolucion konservator dhe liberal, që do të vërë pikërisht në pikëpyetje themelet e shtetit social me të cilin francezët duket se janë të lidhur”, shkruan e përditëshmja milaneze.

Agjencia e lajmeve Reuters bën një analizë të ngjashme dhe vlerëson se ky “amator makinash garash që jeton në një kështjellë të luginës së Luarës premton reforma radikale për një ekonomi franceze e mbytur nga rregullat”.

“Theçer à la française”, sipas CNN, Fillon është bindës falë performances së tij në debatet me kandidatët e tjerë. Për kanalin televiziv amerikan duket se Franca ndodhet përpara një “kthese”. As The Daily Telegraph nuk e shmang krahasimin me ish kryeministren britanike, tek e përshkruan projektin e Fillon si një “version francez i theçerizmit ku përzihet liberalizmi ekonomik dhe konservatizmi social, një përzierje që Franca nuk e ka parë kurrë derimë tani”.

BBC interesohet për sfidat e ardhshme të kandidatit. Ai duhet “tani e tutje të bashkojë partinë pas kësaj beteje të brendshme për t’u përballur me Partinë socialiste dhe kreun e të djathtës ekstreme Marine Le Pen”, thotë kanali britanik.

“Z. Fillon, me premtimet e tij për të ringjallur identitenin e Francës dhe madhështinë e saj kombëtare si edhe me gjuhën e tij të ashpër mbi emigracionin dhe islamin, u ka bërë hapur thirrje për t’u ngritur në këmbë zgjedhësve të zonjën Le Pen”, vëren New York Times. E përditëshmja më e njohur e SHBA-së konsideron se masat drastike që paralajmëron politikani francez në buxhetin e vendit ka shumë mundësi “ta vënë në një situatë shumë vulnerabile përballë zonjës Le Pen”.

Gazeta amerikane që publikon artikullin më të gjatë rreth zgjedhjeve brenda kampit të djathtë për kandidatin e ardhshëm për predident të Francës, Wall Street Journal, sheh në përzgjedhjen e François Fillon premisat e një ndryshimi rrënjësor. “Franca flirton me një revolucion të ekonomisë së tregut, çka do të ishte një ndarje deçizive me të kaluarën e saj”, analizon e përditëshmja konservatore. “Shumëkush do të thotë se i erdhi koha. Ka tridhjetë vjet që Franca nuk po dorëzohet”. Por gazeta edhe e paralajmëron ish kryeministrin, i cili nuk është Margaret Theçeri, duke e kritikuar pikërisht për mungesën e detajeve të projekt-reformave të tij në sektorin publik. “Nëse zotti Fillon është serioz në qëllimet e tij për të transormuar Francën, ai ka nevojë pikësëpari për një plan të besueshëm”, përfundon e përditëshmja amerikane.

/Veritas.com.al/