Zëri gërryes i Leonard Cohen, mjeshtër i pashok i muzikës, poezisë dhe ndjenjave njerëzore, nuk do të jehojë më i gjallë.

Simboli i një brezi post-gjashtëdhjetë-tetëdhjetëvjeçarësh, melankoliku Leonard Cohen, poeti dhe muzikanti kanadez i njohur në të gjithë botën, u nda nga jeta të enjten 10 nëntor, në moshën 82 vjeçare.

“Me një trishtim të thellë ju njoftojmë për vdekjen e poetit, kompozitorit dhe artistit legjendar Leonard Cohen”, shkroi agjenti I tij në faqen e Facebook-ut të muzikantit. “Ne humbëm një nga vizionarët më pjellor e më të respektueshëm të botës së muzikës.”

Ai festoi në 21 shtator 82 vjetorin e lindjes me një album të ri, “You want it darker”, i katërmbëdhjeti, ku ia doli sërish të ngjitej drejt sublimes.

I lindur në 1934 në një familje hebreje të kamur në Montréal, në Kanada, Leonard Cohen kompozoi disa nga himnet më të madhërishme në shekullin e shkuar dhe këto dhjetëvjeçarët e fundit, si «So long Marianne», në 1967. Një këngë e frymëzuar nga muza e tij, Marianne Ihlen, që vdiq nga kanceri në korrik të këtij viti.

“Mendoj se do të të ndjek shumë shpejt”, shkroi Leonard Cohen menjëherë pas vdekjes së Marianne Ihlen. “Dije se jam kaq pranë pas teje sa nëse zgjat dorën, besoj se do të prekësh timen.”

/Veritas.com.al/