(FOTO: Matteo Renzi dhe e shoqja Anjeza)/
Fjorentini mendjemadh preferoi referendumin, duke e indeksuar të ardhmen e vet me rezultatin e tij. Dhe e vuri partinë e tij dhe vendin në një katrahurë të pabesueshme.
“Kurrë nuk do ta kisha besuar se italianët më urrenin kaq shumë!“
Për Matteo Renzin ky qe një dush i ftohtë. Sigurisht që lideri mendjemadh italian nuk është se nuk e dinte që beteja ishte me risk, sepse “gjithkush veç Renzi- jo“ shkonte nga ekstremi i majtë në ekstremin e djathtë duke kaluar nga Forza Italia, Lega Nord, Levizja 5 yjet dhe krahu i majtë i Partisë demokrate.
Edhe kampi i PO-së kishte paralajmëruar një fitore të JO-së. Por askush nuk e kishte imagjinuar se fronti i refuzimit do të mblidhte 60 % të zgjedhësve. A posteriori, zgjedhja e referendumit duket si një lajthitje. Brexit-i, referendumet në Hungari apo edhe në Kolumbi tregojnë qartazi se aktualisht, asnjë kryeministër nuk i stimulon zgjedhësit pa paguar një çmim të lartë.
Përmasat e humbjes hapin për Matteo Renzin një raund të dytë politik që kushtëzon të ardhmen e afërt të gadishullit: Betejën e Partisë Demokrate. Partia që ka mazhorancën në Dhomën e Deputetëve dhe mazhorancën relative në Senat del e shpartalluar nga votimi.
Të dielën në mbrëmje, në selinë qendrore të PD kishte rënë bomba, ndërsa në komitetet për JO-në drejtuar nga krahu i majtë i partisë festohej.
Larja e hesapeve është e pashmangshme. Elefantët që Renzi Fjorentinasi i “nxorri pa punë“ do të përpiqen të rimarrin frenat e partisë. Me letra, ai mund të ruajë kontrollin. Por tundimi i dorëheqjes për t’i çuar rebelët përpara përgjegjësisë është i madh. Një tjetër gjest mëndjemadhësie që do ta bënte krizën të pamundur për t’u zgjidhur.
Udhëkryq institucional
Italia gjendet në fakt në një “udhëkryq institucional” të paparë.
I quajtur Italicum, ligji zgjedhor i adoptuar në maj të këtij viti nuk kishte parashikuar dështimin e një referendumi! Ai nuk është operacional për një Senat, që, në frymën e legjislatorit, nuk duhet të zgjit më. Përveç kësaj, Matteo Renzi kishte marrë përsipër ta ndryshonte Italicum-in ndërkohë që rekurse të shumta denonconin pakushtetutëshmërinë e tij.
Mendjelehtësi e pabesueshme e kryeministrit të dorëhequr: Vendi i privuar nga sistemi zgjedhor ndërsa zgjedhjet e parakohëshme do të ishin epilogu normal i krizës. Duhet pra që një qeveri e tranzicionit të ndreqë gabimin dhe të adoptojë një ligj të ri zgjedhor. Program i gjerë, ndërkohë që çdo formacion politik propozon një sistem që e avantazhon. Pa një PD kompakte dhe të disiplinuar, do të jetë një mision i pamundur.
Përballë një katrahure të tillë, e ardhmja e Italisë do të luhet në orët e ardhshme sa në Quirinal-e, pallati i presidentit të Republikës aq edhe në Largo del Nazareno, selia e Partisë demokrate.
/Veritas.com.al./