Frrok Çupi
Mbaronte ora e katërt e mësimit, e flinte mendjen me të tijën se ‘të gjithë nxënësit shkuan në shtëpi’ dhe ulej në një copë tokë me bar në cep të oborrit të shkollës. Hapte libra, fletore, harta…
Nja dy a tre herë që mbaj mend se ‘ e zumë gafil’, nuk u ndie mirë. Kishim radhën e pastrimit të klasës dhe ishim vonuar, ndryshe nuk mund të ndodhte që ta ‘kapnim gjysmë të shtrirë mbi librat në bar’.
Tërheqja, urtia, thjeshtësia dhe etika ishin metali i hollë dhe i rëndë që i mbulonte gjithë fytyrën mësuesit Mark Tirta. Ne nxënësit e tij, të gjithë fëmijë të klasave të pesta deri te e shtata, e dinim se ‘mësues Marku’ nuk ia dinte emrin asnjërit. Dhe mendonim se kurrë nuk i mësoi ata emra. Edhe kur na thërriste në mësim, hapte regjistrin e klasës dhe i lexonte të zezë mbi të bardhë.
Madje, edhe kur bashkë me të bëra rrugën nga shkolla në Shpal, deri në Bukël, asnjëherë nuk më thërriti me emër. Nuk ia kishte lejuar vetes kurrë që të hapte ndonjë vrimë në fletën prej plumbi që ndante, sipas tij, marrëdhënien mes mësuesit dhe nxënësit.
Por kjo ishte gjëja më e vogël në marrëdhënien e Mark Tirtës me të tjerët. Marrëdhënien kryesore e kishte me veten. Pastaj të tjerat vinin sipas parimeve të tij klasike.
Nga Shpali në Bukël rruga ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Duhej të zbrisje në lumin Fan i Vogël, aty ku vërshon vrullshëm rruga e Kombit, dhe po kaq lart të ngjiteshe në anën tjetër deri në një qytet mesjetar me emrin Bukël. Atje ishte zbuluar një qytet i tërë, nga arkeologë të tjerë, por Marku ishte në kërkim dhe në kujdes të pandërprerë të asaj qyteze që daton me Mesjetën e parë dhe shënon lidhjen e kulturës iliro-arbërore. Të paktën sipas Anamalit që e ka vënë kazmën e parë. Deri ditën që Mark Tirta lëvizte atyre anëve, gjithë inventari i varrezave të qytetit mbeti i paprekur. Me ornamente, me zbukurime për gra, me enë prej balte dhe bakri…, asgjë nuk humbi deri aty afër viteve 90.
Kur Mark Tirta nuk u pa më në ‘qilimin’ e gjelbër pranë rrethimit të shkollës, tek kishte shtruar mbi bar libra dhe fletore , atëherë njerëzit nisën të flasin:
-E morën në Tiranë, atje e ka vendin ai. Çfarë do të bënte këtu ai?
Nga Tirana vinte në Shpal, dhe që aty u kthye përsëri. Kishte kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës.
Shpali është as fshat as qytet. Është as stacion makinash dhe autobusësh, por ishte i vetmi stacion i gjysmës së Mirditës. Kishte qenë kryeqyteti i gjithë Mirditës për disa vite. Shpali i ngjan një lumi të thatë, një stinë nuk ka më shumë se pesë vetë që lëvizin në ditë, por ka stinë kur gumëzhinin me qindra njëherësh. Sidomos kur ndërtoheshin rruga që shkon për në malet e Oroshit, për në Pukë apo për në Munellë.
Shpali, peshën më të rëndë e ka në të shkuarën e vet. Në lëndinën ku shtrihen varrezat e vjetra dhe bën hije kisha, gjallojnë rrepe të lashtë që banorët i quajnë ‘ lisa’. Te lisat e Shpalit janë bërë tubimet më të mëdha e më të rëndësishme të Veriut të vendit, që nga Oroshi, në Kastriot të Dibës, Hot të Malësisë dhe Lumë e Prizren.
Këtu nisi të bëhej shkencëtar Mark Tirta.
Kur nuk e panë më te qilimi i blertë i barit të shkollës, nuk thanë asnjë fjalë tjetër, vetëm se “Nuk e kishte vendin këtu, e dinim ne. Ai e ka vendin në Tiranë, te shkenca”.
Askush nuk dinte më shumë për Mark Tirtën, as fshatarët e tij në lagjen L’Gji të Oroshit, që bie pak kilometra në anën tjetër të Lisave të Shpalit.
Të gjithë, nxënësit e tij dhe fshatarët e shoferët e punëtorët që lëvrinin në atë ‘kryeqytet të dështuar’, askush nuk dinte më shumë për Mart Tirtan. Veçse dinin se ‘ ai është një gja, gjithë ditën mbi libra, as flet as pushon. E ka vendin në Tiranë, jo këtu”.
Njeriu që nuk pranoi t’ i japë askujt kohën e tij të çmuar.
Në Tiranë erdhi shpejt. Në Tiranë domethënë në institute dhe në Bibliotekën Shkencore. Kreu gjurmime të mrekullueshme, të thella e serioze mbi trashëgiminë kulturore të kombit. Të pashoqe. Gjashtë dekada të jetës ia kushtoi kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Me një trashëgimi të pasur studimesh. Etnolog, mitolog, etnograf, antropolog dhe folklorist i shquar.
Dje Mark Tirta u nda nga jeta. Na la libra, studime, kërkime, gjetje, interpretime të mëdha. Punë serioze e një dijetari të madh. Na kanë mbetur pak të llojit të tij.
U bë ky shkencëtar duke mos i falur asnjë minutë kohë atyre që nuk e meritonin
Komente