Kryeministri Rama ka thënë sot në një fshat të Pogradecit ku ka liqen dhe janë xhiruar filma, se ‘Tushmishti do të ketë lungogjol’, sipas të folmes krahinore që liqenin e quajnë ‘gjol’.

Tushemishti në Pogradec do të jetë pjesë e projektit të zhvillimit “100 fshatrat”, projekt që siç premtoi kryeministri i vendit, Edi Rama do të vihet në zbatim shumë shpejt.

Krahas ndërhyrjes në rrugë dhe krijimit të një parkingu të madh, Rama tha se Tushemishti do ketë edhe një “lungogjol”.

“Kjo zonë e bekuar nuk do të mbetet pas. Të gjitha këto projekte presin fundin e qershorit për të marrë atë fuqinë e domosdoshme ekzekutive përmes një sinergjie mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Japim garanci për një rilindje rurale të shtrirë në të gjithë komponentët”,- tha Rama.

Kryeministri falënderoi të gjithë ata që janë angazhuar në këtë projekt.

“Jam shpresëplotë se së shpejti do të rikthehemi jo më për të prezantuar projektet por për të nisur realizimin e tyre konkret. Ky nuk është një program i zakonshëm, nuk është vetëm program ndërtimi rrugësh rurale, por do t’i japë energji fshatit shqiptar”,- vijoi ai.

“Të jesh pjesë e UNESCO-së nuk është pak dhe sesi do e menaxhojmë dhe sesi do e çojmë përpara është detyra dhe qëllimi ynë kryesor për ta kthyer në model të qëndrueshëm zhvillimi”, theksoi ministre e Kulturës, Elvi Margariti.

Veritas.com.al/