
Dashamir Shehi ka dhënë dorëheqjen si bashkëkryetar i Koalicionit opozitar Djathtas për Zhvillim. Vendimin e tij e ka bërë me dije në një konferencë për shtyp këtë të Mërkurë, ku ka theksuar se zgjedhjet e 11 Majit ishin një farsë e dy partive më të mëdha në vend.
E vetmja gjë pozitive që ai veçon, është “terreni” që kanë fituar partitë e reja.
“Këto zgjedhje ishin një farsë mes PD dhe PS. Listat e mbyllura, votat e diasporës dhe mungesa e komisionerëve nxori këtë rezultat. Ndryshime kushtetuese, rishikim i reformës territoriale dhe reforma zgjedhore do të kërkojmë këto ndryshime, në të kundërt do të vazhdojmë me këto rezultate. Zgjedhjet i humbëm prandaj largohem, i hap rrugë të tjerëve. Nga gjithë zgjedhjet pati një element pozitiv, partitë të reja e çan rrethimin, bravo u qoftë. Uroj të prodhojnë një sinergji politike më të mirë. Vetëm kjo është e mira këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.
Po a është kjo një tërheqje e plotë nga politika?
“Kam dhënë dorëheqjen me i dhënë dorë të rinjve. Pastaj për politikë, do flas gjithnjë për aq sa di. S’ka ndonjë gjë për turp, është normale në politikë duhet ta pranojmë që kemi humbur, po kjo s’do të thotë që do humbasim surratin. Nga kjo pikëpamje, do flas do merrem, po të drejtoj koalicion…Gjykoj se duhet t’ia lëmë të rinjve, jo se janë më të mençëm se unë ore jo… po normal!”, ka thënë Shehi.
Në këto zgjedhje parlamentare, Djathtas për Zhvillim arriti të siguronte vetëm 5530 vota në rang kombëtar. Shehi është një nga figurat me eksperiencën më të gjatë në politikë. Ai ka kandiduar në plot 11 zgjedhje të organizuara në vend.
Komente