Shefi i Interforcës italiane, që prezumohet se solli në Shqipëri pajisjen përgjuese me të cilën Policia e Shtetit kreu përgjim të paligjshëm, mësohet se sapo u largua nga Shqipëria

Michelle Grillo është larguar para përfundimit të mandatit. Nuk dihet nëse e ka tërhequr pala italiane, apo vetë zoti Grillo rebeloi nga posti I tij për shkak të frikës së një hetimi dhe ndalimi për skandalin e përgjimeve.

Sipas zërave pranë tij, Grillo është nisur me pushimet verore, megjithëse kjo nuk është periudha e përshtatshme dhe për “vacanze estive”. Me sa kuptohet, me nisjen e hetimeve për përgjimet, Grillo ka preferuar të largohet disa ditë, ndërsa situata për skandalin e përgjimeve është përshkallëzuar.

Shefi i Interforcës italiane dyshohet se është personi që gjeti IMSI Catcher. Dyshohet se përdorimi i një pajisjeje të tillë për autoritetet shqiptare ishte ide e Grillos, për shkak se bashkëshortja punonte në një kompani që shet pajisje të tilla. Futja dhe përdorimi që i bëri policia shqiptare, tashmë janë objekt hetimi.