Helidon Xhixha, i famshëm si skulptor, me origjinë shqiptar, është një prej emrave më të kërkuar artistikisht në Europë, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine si edhe Lindjen e Mesme, të cilat e kontraktojnë për të krijuar dizajne nga më të veçanta.
Punët e krijuesit të skulpturës së simbolit të kalit për ‘Ferrarin’, gjenden gjithandej në botë, nëpër sheshe kryesore, në oborre të ndryshme. Pa përmendur këtu veprat monumentale që tashmë po “pushtojnë” sheshet e shumë komunave në Itali- raporton ‘Dritare.net’.
Kjo e fundit, ekspozita me 15 punime “At Random Order”, është e shpërndarë nëpër gjithë qytetin e Firence, si edhe në kopshtin Boboli.
Në një prej shesheve kryesore të qytetit, u hoq tregu, për tu vendosur vepra e skulptorit shqiptar. Edhe pse një pjesë e banorëve e kundërshtuan, vepra e Helidonit u mbrojt nga Kryetari i Bashkisë, Dario Nardella.
Format abstrakte prej çeliku të pandryshkshëm janë fokusi i djalit nga Durrësi. Arti i tij nuk është një skulpturë statike, përkundrazi ato komunikojnë, çlirojnë energji, e të gjitha karakterizohen nga drita, shkruan dritare.net
Në këto skulptura, Xhixha eksploron idenë e kaosit dhe rregullit dhe se si këto koncepte janë prezantuar në filozofi, gjeometri dhe botën natyrale.
Djali i artistit Sali Xhixha, e kaloi fëmijërinë e tij me të atin, nga i cili trashëgon një pasion të fortë për artet e bukura, mbi të gjitha për skulpturën.
Edhe pse filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Helidoni vendosi që të transferohet në Itali. Në 1998, falë një burse studimi, Helidoni frekuentoi Universitetin Kingston të Londrës, ku përvetësoi më së miri teknikën e gdhendjes, skulpturës, fotografisë. Në vitin 1999, u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, Brera.
Me një karrierë ndërkombëtare mbi 25-vjeçare, në vitin 2015, artisti mori pjesë në Bienalen e Venecias, me veprën “Iceberg”.
Në vitin 2016, ai prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij “Bliss”.