Nga: Astrit Patozi/
Denduria e pazakontë sondazheve dhe sidomos diferencat e tyre të mëdha me njëra-tjetrën janë në fakt sondazhi më i mirë se të dyja blloqet e vjetra të politikës e kanë ndjerë se po u lëkunden themelet.
Ndaj mos u çudisni kur ato të shpeshtohen edhe më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve. As kur rezultatet e tyre të lëkunden si lavjerrës, herë nga e kuqja e herë nga e zeza, sikur të bëhej fjalë për dy vende të ndryshme dhe jo për të njëjtën Shqipëri.
Tek e fundit, le të harxhohen pak më shumë se herët e tjera, se lekë korrupsioni i kanë. Dhe le t’i hakërrehen njëri-tjetrit si gjithmonë me fitoret në letër, si tigra prej letre që janë, se në fund fare bashkë do të jenë prapë.
Lajmi i mirë është që ata po djersisin, duke u kacavjerrë pas shifrave që i porosisin vetë, ngaqë janë në vështirësi.
Ndaj edhe zero vëmendje dhe zero shqetësim për sondazhet e tyre, që thjesht demaskojnë merakun e madh që kanë për humbjen e supremacisë.
Shqiptarët e lirë e kanë kuptuar se vota kundër tyre më 25 prill është e vetmja mënyrë për nisjen e rënies së palavdishme të kryetarokracisë, si një sistem i deformuar politik në funksion të interesit personal dhe familjar të 3-4 individëve.
VERITAS.COM.AL