Report Tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, pasqyruan sot në mbrëmje rezultatet e sondazhit të katërt për zgjedhjet e 25 prillit.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot shqiptarët do t’i jepnin një mandat të tretë, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, konkretisht 47 deri në 51 % e votuesve pëlqejnë mazhorancën aktuale, mbështetje që përkthehet në 69 deri në 73 mandate, por në krahasim me sondazhin e muajit shkurt, Partia Socialiste humb një mandat në rang kombëtar.

Ndërsa PD, bashkë me 12 parti të tjera sot do të votoheshin nga 37 deri në 41 % e qytetarëve që përkthehet në 54 deri në 56 mandate. Që bashkë me Lsi do të marrin maksimalisht 64 deri në 66 mandate, pra as bashkë num marrin dot shumicën për të qeverisur.  LSI në rang kombëtar sot do të votohej nga 4 deri në 8% e shqiptarëve që përkthehet në 8 deri në 10 mandate, por që ka një rënie të madhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017 kur mori 19 mandate.

Ndërkohë, në këto zgjedhje mund të marrin nga 0-2 mandate edhe 3 parti, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit, Nisma Thurrje e Rudina Hajdarit dhe PSD e Tom Doshit. Të trija këto forca politike mund të marrin në rang kombëtar 0- 2% të votave.

Për herë të parë, Instituti italian Piepoli publikoi të dhënat edhe për çdo qark të vendit në përqindje dhe mandate.

Në qarkun e Tiranës, PS merr 18 deri në 20 mandate, 49 deri në 53% të votave, ndërsa PD pavarësisht se ka në përbërje edhe 12 parti të tjera dhe votohet nga 35 deri në 39% e qytetarëve, që nëse përkthehet në mandate merr 12 deri në 14 mandate. LSI ka qëndruar në të njëjtin nivel të muajit shkurt 4 deri në 8% të votave që përkthehet 1 deri në 3 mandate.

Një rritje të konsiderueshme në Tiranë ka PSD, e cila sipas sondazhit merr 1 deri në 3 % të votave që përkthehet 0-2 mandate. Edhe dy parti të reja që kandidojnë për herë të parë në zgjedhje mund të marrin mandate në Tiranë, Nisma Thurrje ku bën pjesë Rudina Hajdari që merr 0-2% të votave që përkthehet në një mandat, por dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit mund të marrë 0-2% të votave që përkthehet po në një mandat.

PS merr fitore në Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, ndërkohë PD mban Dibrën, Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën. Ndërkohë që LSI-ja është tkurrur krahasuar me 2017.

Të pyetur për koalicionin pas zgjedhor PD-LSI, 60% e qytetarëve e vlerësojnë negativisht dhe shumë negativisht. Për 47% të shqiptarëve sulmet ndaj qeverisë të Ilir Metës janë politike dhe në favor të opozitës, ndërsa 9% e qytetarëve të pyetur mendojnë se Meta po gabon dhe po përgatitet të drejtojë opozitën pas zgjedhjeve.  Ky është sondazhi që ka pasur pjesëmarrjen më të madhe, ku janë pyetur 1000 persona.

VERITAS.COM.AL