Kuzhina shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim nga turistët e huaj, duke u kthyer në një përvojë kyçe për ta të udhëtimit në Shqipëri. Të paktën kështu tregon një anketë e zhvilluar nga “Monitor.al” gjatë muajit qershor me 250 turistë në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Berat.

Pjatat më të preferuara

Në krye të preferencave gastronomike qëndron tava e dheut, e përzgjedhur si më e shijshmja nga 22% e turistëve. Pas saj vjen peshku në furrë (17%), ndërsa një surprizë e këndshme është rritja e popullaritetit të qifqive nga Gjirokastra. Këto zgjedhje po ndikojnë edhe në rikthimin e recetave tradicionale në menutë e restoranteve lokale.

Pijet vendase po fitojnë po ashtu vëmendje. Vera shqiptare rezulton më e konsumuar (63%), e ndjekur nga rakia (52%), që për turistët përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Edhe birrat vendase janë më të preferuara se ato të huaja (47% kundrejt 35%), duke reflektuar një prirje të qartë drejt autenticitetit.

Çmime të favorshme, përvojë pozitive

Çmimet në restorantet shqiptare janë vlerësuar si shumë konkurruese: 38% e turistëve i cilësuan “shumë të lira”, ndërsa 45% “të përballueshme”. Vetëm 3% menduan se ishin të shtrenjta.

Kuzhina shqiptare ka marrë vlerësime të larta: mbi 52% e turistëve i dhanë notën maksimale prej 5 yjesh dhe 26% dhanë 4.5 yje. Më pak se 6% dhanë një vlerësim prej 3 yjesh ose më pak.

Qytetet më të vlerësuara për përvojën kulinare janë Gjirokastra (91%), Berati (88%), Vlora (85%) dhe Shkodra/Thethi (82%), destinacione që spikasin për ofertat autentike dhe praninë e agroturizmeve.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *