Në betejën për Tiranën, qarkun me 34 mandate deputetësh, Partia Socialiste ruan të njëjtin rezultat të para katër viteve.

Në sondazhin e Ora News dhe IPR Marketing të publikuar mbrëmjen e sotme në Tonight Ilva Tare, PS ka marrë 44% të votave nga 44.1% në 2013. Merr 16 mandate deputetësh. Nëse i hedhim një sy nga sondazhi i 31 majit, PS ka një rritje me 3%.

Ndërkohë PD ka marrë 34% të votave, ka një rritje me 1% nga sondazhi i parë në Ora News. Merr 13 mandate. Në 2013 ka marrë 33.6%.

LSI e treta në renditje ka një rritje të ndjeshme krahasuar me 2013 duke marrë 12% të votave nga 7.8%. E përkthyer në mandate, LSI merr 4 mandate.

LIBRA e Blushit ka një rënie me 1% nga sondazhi i 31 majit në Ora News, ka marrë 5% të votave dhe merr 1 mandat.

PDIU shënon rritje me 1.5% nga sondazhi i parë, duke marrë 2.5% të votave, por pa mundur të marrë asnjë mandat. Në 2013 ka marrë 2% të votave.

FRD ka marrë 1% të votave nga 2.2% në 2013.