Sot festohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Festimet kryhen në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.
Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në disa vende të tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashtë të Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Ballokumja
Ballokumja është ëmbëlsirë karakteristike vetëm në Elbasan. Ka qenë dhe është sinonim i Ditës së Verës. Ka një formule te veçante gatimi, e njohur vetëm ne këtë qytet.
Verorja
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardha dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Legjenda e Ditës së Verës
Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera.
Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite. Më parë festohej në Elbasan, tani është bërë festë kombëtare.
Komente