Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë këtë të enjte seancën e radhës plenare, e cila pritet të nisë rreth orës 10:00, ku në fokus pritet të jetë votëbesimi për ministrat e rinj të qeverisë, pas ndryshimeve të miratuara një ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.
Sjellim ndërmend se emërimet dhe shkarkimet u propozuan nga kryeministri Edi Rama në kuadër të riorganizimit të kabinetit qeveritar.
Sipas procedurës parlamentare, mazhoranca socialiste pritet të kërkojë fillimisht ndryshimin e rendit të ditës, në mënyrë që të hidhen në votim dekretet e kreut të shtetit për emërimet e reja. Presidenti Begaj firmosi dje gjithsej 13 dekrete, që përfshijnë gjashtë shkarkime dhe shtatë emërime në poste ministrore.
Ndryshimet në qeveri u paralajmëruan nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së Partisë Socialiste të 26 shkurtit, ku u vendos edhe shkarkimi i Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Vendimi erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë la në fuqi pezullimin e saj nga detyra nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR
Emërohen në detyrë:
-Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër;
-Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
-Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme;
-Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes;
-Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë;
-Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
-Erjona Ismaili, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Largohen nga qeveria
-Belinda Balluku si Zëvendëskryeministre dhe Ministre i Infrastrukturës dhe Energjisë;
-Elisa Spiropali si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme;
-Pirro Vengu si Ministër i Mbrojtjes;
Diskutime të tjera në rendin e ditës
Në rendin e ditës së seancës së kësaj të enjteje janë përfshirë edhe dy seanca pyetje–përgjigje të kërkuara nga deputeti socialist Erion Braçe. Ai do të kërkojë sqarime nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë dhe votojnë gjashtë projektligje, mes tyre ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar, ratifikimin e një marrëveshjeje huaje për programin “Infrastruktura Bashkiake V – Faza II”, si dhe nisma të tjera që lidhen me taksat kombëtare, financat e pushtetit vendor dhe mbikëqyrjen e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale.
Ndërkohë, para nisjes së seancës plenare, në orën 09:00 do të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin me 20 ditë nga Kuvendi të deputetit Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia. Mazhoranca e akuzon atë se bllokoi foltoren dhe pengoi zhvillimin normal të seancës së fundit plenare.
Komente