Mbahen sot homazhe për nënkomisarin Saimir Hoxha, i cili u vra paraditen e djeshme teksa ishte në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama. Homazhet do të mbahen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi dje se kanë nisur procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të oficerit Hoxha.
Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.
Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.
“Komisioni Qendror i Statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, ‘Dëshmor i Atdheut’ duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm”, deklaroi ministri i Brendshëm.