Ditën e sotme nis ‘Sunny Hill Festival’ në Tiranë që do të zgjasë për tre ditë rresht. Emra të mëdhenj do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Tirana përballë një panorame të mrekullueshme te Liqeni Artificial i Tiranës, ku skena dhe çdo detaj tjetër tashmë është gati të mirëpresë edicionin e parë të këtij eventi muzikor në Shqipëri. 40 yjet e muzikës do të performojnë për tre netë rresht të ftuar nga këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa.

Action Bronson, reperi i famshëm italian Fedez, Tananai  por dhe artistë shqiptarë si Dren Abazi e Dafina Zeqiri do të jenë të parët që do të startojnë festivalin.

Ndërkohë, në ditën e dytë të festivalit do të performojnë vetëm DJ të njohur botëror, ndërsa dita e tretë e festivali do të hapet nga reperi i njohur Stormzy, ndjekur nga Mc Kresha & Lyrical Son & Ledri Vula, Mozzik & Getinjo dhe Elgit Doda.

Për të marrë më shumë detaje rreth Sunny Hill Festival, mund të shkarkoni aplikacionin zyrtar të festivalit, që është në dy versione, për android dhe IOS. Bileta e blerë është e vlefshme për të trija netët. Bileta ka një kod skanimi dhe më pas pjesëmarrësve i jepet një byzylyk për të vendosur në dorë, i cili nuk duhet të dëmtohet. Mosha minimale për të ndjekur festivalin vetëm është 16-vjeç. Të rinjtë nën moshën 16-vjeç duhet të jenë të shoqëruar nga të rriturit. Nga ana tjetër duhet të keni me patjetër me vete kartën e ID për tu futur brenda në festival.

Në festival nuk paguhet me Cash, por pagesat për pijet dhe ushqimin bëhen përmes aplikacionit Sunny Hill. Festivali, do të mbahet me datë 26, 27 dhe 28 gusht. Më herët ky organizim madhështor u zhvillua edhe në kryeqytetin e Kosovës, pjesë e së cilit ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës.