Frrok Çupi/
Ngjarjet e fundit, sigurisht intensive, po na çojnë drejt fundit të arsyetimit: Sot Opozita, me gjasat më të shumta, nis rrugën drejt zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare. Që në 18 shkurt, Opozita nisi një protestë pa kufi me kërkesë krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të lira e të ndershme. Për 75 ditë me radhë opozita i rezistoi betimit të saj, edhe pse në kushtet e një blokazhi mediatik dhe presioni nga ambasadorët dhe institucionet europiane që kërkojnë ‘status quo-në’ e tyre në teritore lindore të Europës.
Në ora 10.00 paradite është konfirmuar takimi i kryetarit të qeverisë, Rama, me kryetarin e Opozitës, Basha, në prani të presidenit të Republikës, Nishani. Takimi është imponuar nga institucionet politike të BE, mes të cilëve edhe PPE që ndodhej mbrëmë vonë në video- konferencë me kryetarin e Opozitës, Basha.
Kthimi i opozitës në zgjedhje është një opsion i palëkundur i të majtëve dh të djathtëve euopianë; ndërsa administrata e re e Shteteve të Bashkuara nuk ka folur akoma. Kthimi i Opozitës në zgjedhje ndodh në një moment ‘pus’ të Demokracisë. Këmbëngulja e BE për t’u kthyer në zgjedhje, edhe pse vendi ndodhet nën pushtetin e lëndëve narkotike dhe të krimit si në rrugë edhe në administratën shtetërore, është një fund i keq i rrugës së Demokracisë.
Kërcënimi që erdhi nga BE për të shkuar në zgjedhje, ose ‘do t’i njohim zgjedhjet’ pa opozitën, dëshmon për krizën e rëndë politike të vetë BE. Kriza politike e certifikuar në Shqipëri, kësaj here e bëri ciklin e plotë nga fundi në majë: Lindi nga një situatë kriminale e pushtetit lokal dhe parlamentar në vend, u transmetua te vulgu që shërbeu për të mbjellë dhe korr drogë, kaloi në Policinë e Shtetit që shërben narkotikët, te trafikantët, në qeveri dhe në brigjet tona europiane ku vepron prej vitesh mafia e drogës. Tani kriza ndodhet në BE, e cila nuk mund të ‘kurojë’ demokracinë në Shqipëri.
Kthimi i Opozitës në zgjedhje do të shoqërohet me disa premtime në bazë të një marrëveshjeje. PPE- simotra e të djathtës imagjinare, dje kërkoi kthimin ‘me çdo kusht’ në zgjedhje, por duke premtuar ‘asistencë’. Premtimi është i lashtë në zakonin e BE, por nuk ka bërë kurrë punë. Gjithashtu edhe qeverisë i është kërkuar që të bëjë dy a tre lëshime ‘retush’ si psh., riparimi i pak mekanizmave qeveritare që kanë të bëjnë me zgjedhjet, etj. Opozita sot do të këmbëngulë për kodin e ri zgjedhor, votimin me sistem maxhoritar, Parlament me 100 deputetë, largimin e disa komisarëve të Policisë, etj.
Ndërsa për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve ende nuk ka asnjë të dhënë. Me siguri që BE do të kërkojë ‘sa më shpejt’ aq më tepër që vetë i ka punët në ‘ajër’ dhe nuk i dihet e nesërmja e BE.
/Veritas.com.al/