SPAK ka kërkuar që ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka të dënohet me 10 vite burg, i akuzuar për tre vepra penale, për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrim parash’ dhe ‘korrupsion’ për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish-ministri Koka, nëse gjykata do të pranonte pretencën e prokurorisë, do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Po ashtu për Alqi Bllakon ka kërkuar 4 vite burg. Sakaq SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin dhe 7 vite për Stela Gugalljan. Sipas SPAK provohet fakti që janë kryer vepra penale, për ‘shpërdorim detyre’, ‘korrupsion’,’ pastrim parash’ e ‘shkelje të barazisë në tendera’. Procedura në negocimin pas shpalljes dhe koncesioni ju dha shoqërisë ‘Albetek Energy’ shpk.

Ish-ministri Koka ka qenë përgjegjës për të kontrolluar të gjitha procedurat ligjore. Anëtarët e komisionit nuk kanë respektuar ligjin. Kontrata ka qenë e paracaktuar që të fitohej nga kompania Albtek Energy shpk. Mërtiri dhe Zoto kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Alqi Bllakon dhe Etleva Kondin.

SPAK kërkon që të sekuestrohen kompanitë ‘Albtek Energy’ sh.p.k dhe  “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Avokati i Lefter Kokës, Saimir Vishaj tha se SPAK ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston.

‘Është rasti i parë që kërkon 10 vite burg. Akuzohen për abuzim me detyrën. Është për tu habitur me qëndrimet e ndryshme. Ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston. Nuk mund të presësh masat e dënimit duke u dhënë nga 4 vite burgim.Kjo është një çështje politike prej fillimit. Shpresoj që gjykata e Shkallës së Parë të mos bjerë në këtë nivel, nuk mund të presësh me thikë masat si për atë që është fajtor dhe atë që ka rol dytësor’- tha Vishaj.

Pretenca e SPAK për të akuzuarit
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)