Kabineti qeveritar i Shqipërisë dhe ai i Serbisë e Maqedonisë së Veriut prej dy ditësh kanë zhvilluar një sërë diskutimesh në Tiranë ku prioritet kanë qenë kriza e energjisë, furnizimi me ushqim dhe mbrojtja civile. Në takimet e zhvilluara mes Zëvendëskryeministri të Serbisë, Zëvendëskryeministri të Maqedonisë së Veriut, ish- Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ministres së Financave Delina Ibrahimaj, ministres së Bujqësisë Frida Krifca dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe përfaqësuesve të bizneseve është rënë dakord për një sërë marrëveshjesh.

Në takime është rënë dakord që Shqipëria do të furnizojë me qymyr Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që ato të prodhojnë energji elektrike, ndërsa nga ana tjetër këto dy shtete do të heqin kufizimet për të furnizuar Shqipërinë me produkte ushqimore, konkretisht me grurë, misër, vaj dhe sheqer. Të gjitha dakordësitë e arritura do të materializohen në marrëveshje dhe memorandume, në mbledhjen e qeverive në 1 shtator që do të zhvillohet në Beograd.

Tre temat e diskutimit ishin Energjia, Siguria ushqimore dhe mbrojtja civile. Ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për mundësinë e shfrytëzimit të rezervave të qymyrit të gurit me qëllim furnizimin me lëndë të parë të impianteve termo të Serbisë. Maqedonia e Veriut shpreh interes për të investuar në mënyrë direkte në terminalin LNG të Vlorës.  Secila palë angazhohet të eliminojë çdo barrierë për furnizimin për mallrat e lidhura me sigurinë ushqimore, pasi Maqedonia e Veriut ka ndaluar eksportin e grurit dhe është rënë dakord që në të ardhmen e afërt ta heqin atë kufizim. Do të ngrihet një mekanizim ku do të lejohet shitblerja e kufizuar e mallrave me kushtin e ndalimit të rishitjes së të njëjtit mall në një treg tjetër.

Kjo është një provë e parimeve të tre vendeve për tregtinë e lirë dhe për Ballkanin e Hapur. Është rënë dakord për përcaktimin e një mekanizmi të veçantë i cili mund të përdoret në rast të përkeqësimit të krizës. Ky mekanizëm që rregullon blerjen e produkteve të sigurisë ushqimore, magazinimin e produkteve, aksesin preferencial në porte që është shumë i rëndësishëm. Në samitin e ardhshëm në 1 shtator të gjitha palët do të jenë të gatshme të nënshkruajnë protokollin e marrëveshjeve për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik dhe akses të lirë në tregun e punës. Deri në 9 gusht të gjitha palët do të kryejnë testet e integrimeve me dy palët e tjera. Nga ana jonë është AKSHI dhe institucionet përkatëse tek shtetet e tjera”, tha Ahmetaj.