Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
 “Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal ‘arrest në burg’”, lexohet në deklaratën zyrtare për shtyp.

Në njoftimin e publikuar nga SPAK lidhur me nëntë urdhër arrestet, hetimet kanë zbuluar se Bllako, në rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Mjedisit, ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurat e shpronësimit të pronës, ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit.

 

Kjo, në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar sakaq se Bllako ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes “në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt” në shumën prej 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

SPAK ka caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 metër katror, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144 mijë e 246 euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

Dëshmia

Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ka qenë dëshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor lidhur me aferën e inceneratorëve.

Në fjalën e tij, ai theksonte se e kishte dhënë deklaratën e tij për rreth pesë orë në Prokurorinë e Posaçme.

Për këtë arsye, Bllako do të shprehej se nuk mund të dëshmonte në Komision, pasi do të ishte nxjerrje sekreti hetimor.

Në SPAK, ai do të pyetej për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Kujtojmë që në këtë periudhë janë miratuar edhe lejet për inceneratorët.

Arrestimet

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) do të vendoste më herët caktimin e masës “arrest në burg” për shtatë persona.

Mes tyre gjendej dhe ish-ministri i Bujqësisë, Lefter Koka, ndaj të cilit është vendosur një tjetër masë sigurie.

Koka dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi nëntë urdhër-arreste lidhur me hetimet e inceneratorëve.

Mes personave të tjerë të arrestuar janë edhe Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj dhe Erjon Murataj.

Ndaj këtyre të fundit dyshohet kryerja e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Ndërsa ndaj biznesmenit Klodian Zoto dhe Arenc Myrtezanit dyshohet kryerja e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Ndërkaq, ndaj Sabina Cenamerit dhe Etleva Kondit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ato dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.