SPAK ka kërkuar konfiskimin e një apartamenti të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Apartamenti ndodhet në Golem dhe është i regjistruar në emër të vëllait të Dedjes, Latif Dedjes. Nga hetimi i SPAK, bazuar në ligjin Antimafia, ka rezultuar se vëllai i Dedjes nuk kishte pasur mundësi financiare për blerjen e tij dhe se apartamenti ka qenë në përdorim të ish-gjyqtarit kushtetues, të shkarkuar nga vetingu.
Mes provave të SPAK, është edhe një dëshmi e punonjësit të kompleksit, i cili ka treguar se për vite me radhë apartamenti është përdorur nga Dedja dhe familja e tij, që shkonin atje në fundjava, në festa dhe gjatë verës.
Paralelisht, në një proces penal Dedja po gjykohet nga Gjykata e Posaçme për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.