Prokuroria e Posaçme kërkon kthimin në qeli të Jamarbër Malltezit, në hetim për aferën ‘Partizani’. Në Gjykatën e Lartë shqyrtohet sot kërkesa e SPAK që kundërshton masën arrest në shtëpi për Malltezin dhe ndryshimin e masës me arrest në burg.
Ishte gjyqtarja Ilirjana Olldashi, ajo e cila nxori nga qelia dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Olldashi, pas investigimit të bërë nga Report Tv u zbulua se kishte konflikt interesi pasi në vitin 2015 ka blerë apartament tek kullat e ndërtuara te ish-kompleksi Partizani me një çmim shumë më të lirë se tregu, 65 mijë euro, përllogaritur 712 euro m2.
Ndërkohë, po sot në Gjykatën e Lartë shqyrtohet edhe kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkon shuarjen e masave fillestare “Detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gjykata e Posaçme një ditë më parë shtyu për më 8 mars seancën për heqjen e masës arrest në shtëpi për Berishën dhe dhëndrin Malltezi.
Berisha dhe Malltezi ndodhen në arrest shtëpie, pas akuzave për korrupsion në dosjen ‘Partizani’. Jamarbër Malltezi, akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.