Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi intervistat me prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili, që garojnë për kreun e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Për Altin Dumanin, SPAK, duhet të ndahet në dy pjesë, njëra për krimin e organizuar dhe tjetra për korrupsionin.

“Në Prokurorinë e Posaçme, prokurorët duhet të ndahen në dy pjesë, seksioni për krimin e organizuar dhe seksioni për korrupsionin. Në vijim, zgjedhja e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.”

Pas Altin Dumanit, i dyti që ka dalë para KLP-së ka qenë prokurori Arben Kraja që prezantoi platformën e tij për drejtimin e SPAK-ut. Sipas Krajës prokuroria nuk është treguar agresive me krimin dhe korrupsionin.

“Kemi dështuar në ndëshkimin e korrupsionit në nivel të lartë ose krimit të organizuar. Situata është shqetësuese. Nga pamja ligjore jemi të mbrojtur, duket zbatimi korrekt i ligjit në praktikë.”

Ndërsa Prokurori Edvin Kondili vuri theksin te vëmendja që i duhet kushtuar hetimit pasuror.

“Hetimi pasuror është mjaft i rëndësishëm në goditjen e grupeve kriminale”.

Në përfundim të intervistave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të pikëzojë tre kandidatët dhe ditën e enjte do të votohet për zgjedhjen e kreut të SPAK, i cili duhet të marrë të paktën 6 nga 11 votat e KLP-së. Ky i fundit do të këtë mandat 3-vjeçar dhe  do të marrë detyrën  pas betimit në Presidencë që do të zhvillohet mëngjesin e së enjtes.

VERITAS.COM.AL/