Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zhvilluar një operacion në disa qytete të vendit për të goditur elementë të botës së krimit.

Operacioni i cili ka nisur që në orët e mbrëmjes së djeshme është shoqëruar me kontrolle në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Mësohet se operacioni është në zhvillim e sipër teksa pritet një njoftim zyrtar nga SPAK për të mësuar detajet e nevojshme.

Deri tani mësohet se masë arresti shtëpiak është vendosur për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe për Hajdar Bakon alias Hajdar Çopja, njohur ndryshe si Dari i Elbasanit.

Gjithashtu arrest kërkohet edhe për zv.drejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.

Ndërkaq, falë zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, në rrjetën e SPAK ra edhe kryeprokurori i Vlorës pak ditë më parë Aurel Zarka dhe 4 personave të tjerë.

Zbërthimi i aplikacionit Sky ECC ka nxjerrë në dritë se këta persona kanë komunikuar përmes këtij aplikacioni ku dyshohet se kanë abuzuar me detyrën për një procedim penal.

Operacioni i SPAK vjen pas atij të zhvilluar disa muaj më parë kur vendosi në pranga një sërë personash me rrezikshmëri të lartë dhe shpalli disa të tjerë në kërkim, ndërsa shfaqi për publikun edhe mënyrën sesi bandat rivale më të mëdha luftonin mes tyre për të eliminuar njëra-tjetrën. Madje po sipas bisedave të zbuluara në Sky ECC tregoheshin shuma prej 1 milionë euro për të eliminuar kokat e bandave rivale.

***

Kush është “Dari i Elbasanit”

Por emri i Hajdar Bakos, i njohur dhe si “Dari i Elbasanit”, nuk është i njohur vetëm për këtë përplasje të dhunshme. Emri i Bakos, doli dhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.

Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.

Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK se kiste mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibej dhe Hajdar Bakos.

“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…”, shprehej Dumani.

***

Sipas informacioneve, operacioni i cili vijon ende nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme është vazhdim i “Plumbit të Artë”.

Operacioni “Plumbi i Artë”, i zhvilluar në maj të vitit 2022 goditi 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë.

Operacioni u zhvillua menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier.

Gjatë operacionit policor të koduar “Golden bullet” janë ekzekutuar 18 masa sigurimi, prej të cilave 9 masa sigurimi janë ekzekutuar në disa IEVP, në ngarkim të shtetasve:

1.Nuredin Dumani, 35 vjeç
2. Henrik Hoxhaj, 40 vjeç
3. Altin Ndoci, 35 vjeç
4. Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç
5. Skerdi Tasi, 31 vjeç
6. Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç
7. Ilirian Feci, 47 vjeç
8. Enver Diva, 43 vjeç
9. Besjan Xhixha, 31 vjeç

Ndërsa 9 masa sigurimi “Arrest në burg” në ngarkim të shtetasve, të cilët u arrestuan gjatë operacionit:

1. Ardjan Uzuni, 56 vjeç
2. Leonard Palushi, 41 vjeç
3. Gentian Sharra, 48 vjeç
4. Fatos Gosa, 54 vjeç
5. Florenc Çekrezi, 35 vjeç
6. Petrit Qoli, 51 vjeç
7. Agron Qoli, 52 vjeç
8. Agron Qafa, 48 vjeç
9. Asllan Plaku, 30 vjeç.