Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Pas disa muajsh verifikime, SPAK i ka nisur hetimet lidhur me çështjen e inceneratorëve. Sipas burimeve, ish-ministri i Financave është person nën hetim për veprat penale “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.

Hetimi ndaj tij është nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Dosja me 21 persona të akuzuar ka shkuar tashmë për gjykim. Por më parë është veçuar një fraksion i saj, ku bëhet fjalë pikërisht për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.

Këtij procedimi i është bashkuar edhe një kallëzim i bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili ngrinte dyshime për disa shkelje nga ish-zv.kryeministri.

Disa ditë më parë, efektivët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe partneres së tij të tanishme, ku u sekuestruan disa dokumente që kishin të bënin me arredimin e tyre. SPAK ka marrë në pyetje edhe personat e përfshirë në ndërtimin e këtyre banesave, për të kuptuar kush kishte porositur punën dhe si ishin kryer pagesat.

Vijon…