Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani deklaroi se shumica e çështjeve të SPAK kërkojnë afat të gjatë, pasi ka shtyrje të seancave dhe zvarritje të hetimit.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisë”, Dumani u shpreh se çështjet me natyrë korruptive dhe shkelje e barazisë në tendera, apo edhe shpërdorimi i detyrës kërkojnë kohë shumë të gjatë.

“SPAK është përpjekur të ndërtojë marrëdhënie të mirë me shoqërine civile dhe do të vazhdojmë të jemi bashkëpunues. Shumica e çështjeve të SPAK kërkojnë afat të gjatë, ka shtyrje të seancave dhe zvarritje të hetimit. Çështjet me 20 të pandehur krijojnë shtyrje. Sidomos çështjet me natyrë korruptive dhe shkelje e barazisë në tendera, apo edhe shpërdorimi i detyrës kërkojnë kohë shumë të gjatë, por edhe teknika speciale. Nuk krahasohet një çështje e SPAK me një çështje të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Sa i takon trasparencës ne jemi perpjekur aq sa ligji na lejon të jemi transparent me publikun dhe të gjitha i kemi publikuar në faqen e SPAK. Ka njoftime të rralla kur interesi publik është shumë i madh dhe ne kemi reaguar.

Presioni mediatik dhe retorika politike nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun ndaj të dyjave. Këtë përpiqem t’ua përcjell edhe hetuesve. Jemi të vëmendshem kur evudentohen problematika nga media apo politika në diskutime të ndryshme, sigurisht që ne i ndjekim. Por në raport me hetimet nuk na ndikojnë”, theksoi ai.