Më 16 korrik, përmes një postimi në Facebook dhe më pas më të zgjeruara në një intervistë për Report Tv, deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi deklaroi se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.
Nisur nga këto akuza të forta, SPAK ka nisur sot verifikimin e këtyre deklaratave. Petro Koçi tha se trafikantë droge tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike.
“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ish-Zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi një javë më parë.