Qeveria e Spanjës ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët që marrin pjesë në një operacion ushtarak kundër Iran, kryer nga SHBA dhe Izraeli.
Duke cituar burime ushtarake, raporti i publikuar nga El Pais, thekson se Madridi zyrtar jo vetëm që nuk po lejon përdorimin e bazave ajrore strategjike në Rota (Cádiz) dhe Morón de la Frontera (Sevilje), por gjithashtu ka refuzuar planet e fluturimit për avionët amerikanë të vendosur në vende të treta si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Operacioni ushtarak, i njohur si Epic Fury, ka shkaktuar reagime të forta politike në Evropë, ndërsa Spanja ka zgjedhur një qëndrim të prerë kundërshtues ndaj përfshirjes në të.
Kryeministri Pedro Sánchez e bëri të qartë pozicionin e qeverisë gjatë një fjalimi në parlament, duke e cilësuar ndërhyrjen si “luftë të paligjshme”.
Ai theksoi se të gjitha kërkesat që lidhen me operacionin janë refuzuar, përfshirë edhe ato për furnizimin me karburant të avionëve ushtarakë.
Sipas deklaratës së tij, autoritetet spanjolle kanë bllokuar çdo plan fluturimi që lidhet me veprime ushtarake në Iran, duke përfshirë edhe përdorimin e hapësirës ajrore për tranzit apo mbështetje logjistike.
Komente