Spanja i kujtoi 14 viktimat e sulmeve të Katalunjës me një meshë të posaçme në Katedralen ikonë të “Sagrada Familia”-s, shënjestra – sipas disa raporteve në shtypin vendas – e një komploti edhe më të madh të celulës terroriste, që fatmirësisht nuk u arrit të materializohej.

I pranishëm në shërbesën fetare të rrethuar nga masa të skajshme sigurie, përfshirë snajperët nëpër tarracat e ndërtesave aty pranë, ishte edhe kryeministri Mariano Rajoy. Kardinali Juan José Omella, kryepeshkopi i Barcelonës bëri thirrje për paqe e unitet, duke shtuar se “ne do ta kapërcejmë frikën”.

Në vilën e Alcanarit, të dëmtuar nga shpërthimi i së mërkurës mbrëma e të përdorur si fabrikë për eksplozivë artizanalë, policia zbuloi një numër të frikshëm bombolash gazi. Ishin shumë edhe për t’i ngarkuar në 3 kamionët që do të merreshin me qira për atentatet e Barcelonës dhe Cambrilsit.

Ajo sasi gazi, sipas zyrtarëve mund të shkatërronte një pallat. E nga sa është arritur të zbulohet vetëm tani, ndoshta edhe diçka më të madhe: “Sagrada Familia”-n, emblemën e Barcelonës, një tempull i krishtërimit dhe magnet i vërtetë për turistët në qytet.

Për rrënimin e saj, terroristët kishin muaj që mblidhnin bombola gazi. Qindra vetë mund të kishin vdekur nëse plani djallëzor do të ishte çuar deri në fund. “Corriere della Sera” shkruan se atentati mund të kishte pasur një impakt simbolik të ngjashëm me atë të 11 shtatorit në SHBA.

Me 3 të vdekur në Alcanar, 5 të vrarë nga policia në Cambrils dhe 4 të arrestuar, grupi është thuajse krejtësisht i asgjësuar, e vëmendja po fokusohet te dy elementët që mungojnë: Youssef Aalla, vëllai i njërit prej të vdekurve në Cambrils, si dhe 22-vjeçari Younes Abouyaaqoub, që drejtoi furgonin e vdekjes në Las Ramblas.

Paralajmërimi i ISIS-it, se pas Spanjës dhe Rusisë radhën e ka Italia, ka vënë menjëherë në lëvizje kryeministrin Paolo Gentiloni, që i kërkoi ministrit të Jashtëm Angelino Alfano dhe atij të Brendshëm Marco Minniti, të ndjekin me kujdes zhvillimet në lidhje me atentatet e të marrin masat e nevojshme të sigurisë, të cilat të zbatohen menjëherë në mbarë vendin.

Veritas.com.al/