Socialistët në opozitë në Spanjë votuan që të lejohen konservatorët e Mariano Rajoy që të qeverisin vendin si një qeveri minorance.
Liderët e Partisë Socialiste (PSOE) e morën këtë vendim në takimin zyrtar në Madrid dhe i dhanë garanci zotit Rajoy se do ta mbështesin me votat në Parlament në momentin që do të sjellë propozimin për të votuar qeverinë e re të Partisë Popullore (PP).
Spanja ka përjetuar një kalvar krize politike; brenda një viti ka zhvilluar tri herë zgjedhje të përgjithshme parlamentare, por nuk ka mundur të krijojë qeveri.
Socialistët spanjollë e nxorën jashtë liderin e tyre Pedro Sanchez, në fillim të muajit Tetor, pasi hodhi poshtë abstenimin.
Zoti Rajoy ka kryesuar një administratë kujdestarie qëkurse ka humbur maxhorancën në zgjedhjet e Dhjetorit të vitit të kaluar. Edhe zgjedhjet e përsëritura në Qershor, për t’i dhënë fund ngërçit, dështuan, por forcuan pozitat e tij.
Socialistët (që në popull njihen shkurtimisht PSOE) ndodhen ën vendin e dytë, të mbështetur edhe nga majtistët radikal të partisë së krijuar kohët e fundit, Podemos.
Për dekada me radhë, në Spanjë, PSOE dhe PP kanë bërë stafetën e qeverive nga njëra dorë te tjetra. Por vitin e kaluar vota popullore e ndau skenën në katër pjesë: PP, PSOE, Podemos dhe Ciudadanos që vjen e katërta.
/Veritas.com.al/