Nga Ylli Pata/

Lulzim Basha ka kryer spastrimin e katër të Partisë Demokratike, që kur mori këtë post, 8 vjet më parë në vitin 2013.

Tashmë, edhe ata pak politikanë të opozitës që kanë pasur qëndrime kritike ndaj kryetarit, e që kanë mbetur në Këshillin Kombëtar janë rralluar tepër, e sipas të gjitha gjasave, zërat e tyre duken si një ishull të vogël, duke krijuar kështu edhe mundësinë për spastrimin e radhës e të plotë.

Bujar Nishani, edhe pse ka mbetur të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar meqë ka qenë ish-president, sipas të gjitha gjasave ai, siç veproi në Kuvend nuk do të shkojë, ose mund të shkojë kur ka ndonjë vendim “lufte” që mund ta thirrë Berisha a Basha, për një çështje të “jashtëzakonshme” për të shpallur luftë.

Duke mos pasur edhe postin e kreut të Këshillit Kombëtar, që Basha e eleminoi para Kuvendit, ish-presidenti ka gjasa të pakta për ta kthyer qëndrimin e tij kritik ndaj kreut të PD-së, në një proces që synon të zhvilloh debatin brenda Partisë së tij.

Edhe Agron Shehaj apo Kadilli, do të jenë gjithashtu në pozita të ngjashëm me Nishanin, por Shehaj, duke pasur mundësinë që të jetë edhe deputet, mund “të rregullojë biografinë”, duke rritur dozën e akuzave ndaj qeverisë, gjatë fjalimeve në Kuvend.

Megjithatë, ajo që ra në sy, është moszgjedhja si anëtare e Këshillit Kombëtar, të Edit Harxhit, e cila ishte edhe zyrtarja e lartë e Partisë Demokratike përveç Lulzim Bashës, që zhvilloi një takim në Tiranë, me asistent sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Phipip Reeker, që vizitoi Shqipërinë, pak kohë më parë.

Përveç këtij takimi, Edit Harxhi ka folur edhe çështjen “delikate” në PD, atë për shpalljen e Sali Berishës Non Grata nga SHBA, por shkoi edhe më tej, ku deklaroi se edhe Lulzim Bashës i është refuzuar viza e hyrjes për në Amerikë.

Ndërkaq, edhe Arben Ristani, ish-numri dy i PD-së gjatë 8 viteve, nuk u zgjodh në Këshillin Kombëtar, ku ka 300 anëtarë, shumica e tyre të panjohur dhe pa ndonjë qëndrim apo eksperiencë publike në parti më parë.

Arben Ristani, sidomos pas djegies së mandateve, ka qenë një nga kritikët më të fortë të Lulzim Bashës dhe kursit politik. Ristani, gjatë hetimit që nisi Prokuroria ndaj Lulzim Bashës, për lobimin në SHBA me para ruse, ka deklaruar se ai si sekretar nuk ka pasur dijeni për operacionin. Qëndrim që solli më pas hakmarrjen edhe më të fortë të Lulzim Bashës, i cili e vendosi numrin 2 të partisë të katërtin në qarkun Vlorë në vitin 2017.

Ristani, gjatë qëndrimeve të kohëve të fundit, ka qenë gjithashtu mjaft i qartë në lidhje me shpalljen e Berishës Non Grata, që e ka cilësuar një zhvillim të rëndë, për të cilin PD-ja duhet të mbajë qëndrimin e saj politik.

Sot, askush nuk guxon më të flasë në PD për ndëshkimin e Berishës, në mënyrë që ta përballojnë si çështje politike të dorës së parë.

Edhe Mark Marku, që e elaboroj sipërfaqësisht këtë çështje, duket se ishte një gjetje “hibride” alla Basha, pra që PD-së të pranojë ndëshkimin e Berishës, duhet që Departamenti i Shtetit të ndëshkojë edhe Edi Ramën. Këtë mund ta shprehë një militant fanatik që edhe pse urren Edi Ramën më shumë, ka nisur të ndërgjegjësohet me faktin se Sali Berisha është politikisht një “fosile” që i sjell PD-së epokën e “dinosaurve”.

Ndërkohë, një politikan i zgjedhur i opozitës, i takon ta trajtojë seriozisht qëndrimin politik të nivelit të lartë të SHBA-së, duke u shprehur pikërisht për nyjën gordianë të çështjes që i takon PD-së. A duhet PD ta mbajë në grupin parlamentar të saj, një deputet që është shpallur non grata nga SHBA?

Nëse nuk mban qëndrim, është qartësisht e dukshme se PD, edhe pse nuk shprehet mban një qëndrim të njëjtë me Sali Berishën. Pra që, aktiviteti politik do të dyfishohet pas vendimit të qeverisë Amerikane.

Ndërkaq, Lulzim Basha, në fjalimin e tij në Kuvend, nuk dha asnjë qëndrim mbi platformën që PD-ja ka në stinën e re politike në vend, që nga stina e klimës anti-korrupsion të nisur nga SPAK, çfarë do të bëjë PD si opozitë në Parlamentin e ri dhe si do t’i përgjgijet ftesës së mazhorancës për reforma të mëdha, por edhe për çështje të tjera.

Sot 5 bashki, duke nisur nga Shkodra e Durrësi janë pa kryetarë e pritet më herët se vonë që vendi të hyjë në një test politik shumë të rëndësishëm, edhe pse të pjesshëm. E as për hyrjen e PD-së në këto zgjedhje, a do t’i braktisë, a do të vendosë kandidatë etj etj, Lulzim Basha nuk është shprehur në Kuvend, që është realisht institucioni më i lartë i kësaj partie.

Ndërkohë që shoqëria edhe pse pa zgjedhje të kontrolluara e trukuara për kyetarin e PD-së, në opinion u shtrua sërish nevoja për një hapje të partisë dhe rikthimin e të larguarve.

Por Basha, jo vetëm që s’e hapi por e mbylli më shumë PD-në dhe mbajti vetëm ata që e kanë mbrojtur në emisione për gjithë këto vite, edhe pse ka humbur e ka humbur, dhe largoi ata që kishin sharë atë dhe doktorin, “Babain” e tij politik, që sërish tregoi që jo vetëm e do shumë, por bën gjithçka që ai thotë, edhe pse ja fut kot gjithë kohës, edhe bota i ka vënë vizën…