Kush do të vijë në sheshin e madh? Kush do të këndojë? Ç’spektakël ngjyrash do të krijojnë fishekzjarrët?
Ka një kureshtje qytetarësh e sidomos të rinjsh për natën ‘e magjishme’ të viti të ri që këtu është kthyer në traditë.
Edhe këtë ndërrim vitesh, Tirana do ta përcjellë në sheshin “Skënderbe”, mes tingujve të muzikës, argëtimit, dhe shoqërisë së njëri-tjetrit.
Bashkia e Tiranës ka organizuar një koncert madhështor, i cili starton në orën 23:00 të 31 dhjetorit, me emra të njohur të muzikës shqiptare.
Ndërkohë, një spektakël fishekzjarrësh do të realizohet për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e shumtë të kryeqytetit, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë në Tiranë festat e fundvitit. Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë me qytetarët disa nga momentet më festive që do t’i shoqërojnë mbrëmjen e 31 dhjetor.
“Siç e kemi bërë traditë tashmë, ndërrimin e viteve e presim te sheshi “Skënderbe”.
Një spektakël i paparë fishekzjarrësh për të pritur #Tirana100VjetKryeqytet dhe një koncert madhështor na presin më 31 Dhjetor ora 23:00 me Eneda Tarifën, Mariza Ikonomin dhe Elhaida Danin., shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veritas.com.al/