
BRITANI E MADHE- Britania e Madhe do të njohë shtetin palestinez në shtator, përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator në Nju Jork.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ky hap do të bëhet zyrtar nëse qeveria izraelite nuk merr masa për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, nuk arrin një armëpushim, nëse nuk e bën të qartë se nuk do të ketë aneksim të Bregut Perëndimor dhe nëse nuk angazhohet për një process paqeje afatgjatë që ofron zgjidhje me dy shtete.
Megjithatë Starmer theksoi se edhe kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar ndaj hamasit mbeten të njejta: të lirojë të gjitha pengjet, të nënshkruajë një armëpushim dhe të pranojë se nuk do të luajë asnjë rol në qeverinë e ardhshme të vendit dhe gjithashtu të çarmatosen.
Vendimi i Britanisë pason Francën, e cila gjithashtu do të njohë shtetin palestinesz në shtator në Asamblenë e OKB.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi vendimin javën e kaluar duke e bërë Francën vendin e parë nga G7 që e ndërmerr një hap të tillë.
Vendimi i Francës u kritikua nga Izraeli e gjithashtu edhe nga SHBA, e cila e cilësoi një veprim të pamatur vendimin e Macron.
Presioni ndaj qeverive perëndimore për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me situatën në Gaza ka ardhur në rritje. Qytetarët e shumë vendeve kanë kërkuar reagim të menjëhershëm, pas skenave tragjike nga Rripi i Gazës, ku njerëzit mbetën pa ushqim dhe shumë humbën jetën nga uria, teksa të tjerë u vranë në përpjekje për të marrë ndihma.
Komente