Nga: Adriatik Doçi/ Shqiptarja.com

Mbi 900 ushtarakë shqiptarë dhe mbi 3 mijë amerikanë dhe të vendeve të tjera të NATO-s gati për stërvitjen e madhe 26 prill–20 qershor 2021, avionë, blinda, helikopterë, anije dhe raketa do ‘rrethojnë’ Shqipërinë. Kuvendi miraton me konsensus lejen për stërvitje

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka miratuar sot projektligjin, duke i hapur rrugë zbarkimit të mbi 3 mijë ushtarëve amerikanë në Shqipëri, para zgjedhjeve lokale të 25 prillit, në kuadër të stërvitjes më të madhe ushtarake në historinë e shtetit shqiptar. Stërvitja do të zhvillohet në periudhën 26 prill – 20 qershor 2021 në Shqipëri, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, ku do të demonstrojë aftësitë edhe ushtria shqiptare. Në stërvitje do të marrin pjesë edhe 3 100 trupa të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash patriot, 1000 automjete jo luftarake, tanke, blinda etj.

Miratimi i nismës nga Kuvendi diktohet nga një parashikim kushtetuese, sipas të cilit nëse në stërvitje marrim më shumë se 1 mijë trupa të huaj, vendimi duhet të merret nga Parlamenti. Për të shpjeguar përmbajtjen e projektit, në Komisionin e Sigurisë ishin të ftuar , zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi dhe përfaqësues të lartë të ushtrisë shqiptare.

“Kjo është stërvitja më e madhe në historinë e stërvitjeve ndërkombëtare në territorin e Shqipërisë. Qëllimi i stërvitjes është që trupat tona ushtarake të aftësohen më tej për të pritur dhe për t’u koordinuar me forca ushtarake partnere në stërvitje dhe operacione të përbashkëta. Kjo stërvitje do ta rrisë efektivitetin e përdorimit të kapaciteteve tona ushtarake për të gjitha sfidat e mëvonshme. Në çdo rast prezenca e forcave aleate do të shoqërohet nga ushtarakët tanë”, tha Petro Koçi.

Ndërkaq, relatori i projektligjit, Myslim Murrizi, informoi se në radhët e ushtrisë shqiptare do të marrin pjesë në këtë stërvitje 900 trupa. Në përfundim, Komisioni e votoi më konsensus projektligjin. Nisma do të votohet nga Parlamenti gjatë seancës së radhës. Mbetet për t’u parë nëse projektligji do të dekretohet apo do të kthehet nga Presidenti Ilir Meta, i cili ka paralajmëruar se do të ‘rrëmbejë armët’ në 25 prill.

Stërvitja do të zhvillohet në Komandat e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, në garnizonin “Skënderbej”, në bazën ajrore të Farkës, në bazën ajrore të Kuçovës dhe në poligonet stërvitore të Bizës e Fekenit, si dhe në rrugëkalimet ajrore e tokësore për në këto rajone. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë do të udhëheqë stërvitjen.

Strukturat dhe elementët e parë të ushtrisë amerikane do të fillojnë të zbarkojnë në Shqipëri që në fillim të muajt prill 2021, për përgatitjen infrastrukturës logjistike për  ngritjen e kampeve fushore në të gjitha vendet e dislokimit dhe terrenet stërvitore të ofruara nga ushtria shqiptare.

VERITAS.COM.AL