Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka marrë një tjetër përmasë, duke u shtrirë edhe në Mesdhe, pas një sulmi me dronë detarë ndaj anijeve ruse në portin e Bengazit, në Libi. Sulmi duket se është zhvilluar në dy faza, mes mbrëmjes së së shtunës dhe mëngjesit të së dielës. Si pasojë, një korvetë e marinës ruse, e klasit Steregushchiy, e identifikuar si Merkury, është goditur dhe ka përfunduar në fund të detit, ndërsa një anije e dytë është sulmuar me dronë detarë në ujërat pranë portit.
Pamjet e publikuara tregojnë një dron detar të mbushur me eksploziv, i cili godet drejtpërdrejt anijen luftarake ruse, të ankoruar në një mol të Bengazit. Në mbrëmjen e së dielës, në port vijonte ende një zjarr, ndërsa në fund të detit ndodhej korveta ruse. Sipas raportimeve, sulmet kanë shkaktuar të paktën 12 viktima.
As Ukraina dhe as Rusia nuk e kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, disa burime që citojnë media italiane bëjnë të ditur se operacioni dyshohet se është planifikuar dhe realizuar nga forcat e armatosura ukrainase.
Ambasadori rus në Libi, Aydar Aganin, ka akuzuar Ukrainën për sulmin, duke paralajmëruar se ngjarja “nuk do të mbetet pa përgjigje”. Ndërkohë, autoritetet në Bengazi, të lidhura me familjen Haftar, kanë kërkuar sqarime nga Kievi.
Sulmi në Bengazi konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, pasi lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po shtrihet gjithnjë e më shumë përtej Detit të Zi, në Mesdhe, duke iu afruar edhe më tepër territorit europian. Porti libian ndodhet më pak se 750 kilometra larg kufirit jugor të Italisë.
Nuk është hera e parë që Libia përfshihet në lëvizjet ushtarake të Rusisë në rajon. Në mesin e shtatorit, dy anije tregtare ruse kishin transportuar në mënyrë të fshehtë rreth 3 mijë tonë materiale ushtarake drejt Tobrukut, një tjetër qytet në lindje të Libisë, i kontrolluar nga forcat e familjes Haftar. Edhe në maj, autoritetet greke kishin protestuar ndaj Ukrainës, pasi në një shpellë detare pranë ishullit të Leukas, në detin Jon, ishte gjetur një dron detar ukrainas. Në fillim të marsit, një anije ruse që transportonte gaz, Arctic Metagaz, ishte goditur dhe fundosur nga një dron në ujërat mes Libisë dhe Maltës.
Megjithatë, operacioni i fundjavës në Bengazi shënon një nga sulmet më të drejtpërdrejta ndaj pranisë ushtarake ruse në Mesdhe.
Sipas raportimeve, sulmi ndodhi në një moment kur Rusia po përgatitej të dërgonte një sasi të konsiderueshme armatimesh drejt Libisë. Që prej janarit dhe më pas në shtator, Moska kishte dërguar materiale ushtarake për forcat e familjes Haftar, në këmbim të pagesave që dyshohet se arrijnë në qindra miliona dollarë.
Lëvizjet e fundit të anijeve ruse ishin ndjekur përmes të dhënave satelitore nga kompania Planetek Italia. Më 27 tetor, në portin e Baltiyskut, në rajonin rus të Kaliningradit, ishin identifikuar të paktën katër anije mallrash, të cilat ndodheshin nën sanksione ndërkombëtare dhe dyshohej se do të transportonin materiale ushtarake drejt Libisë. Bëhet fjalë për anijet Anastasiia, Ascalon, Lady D dhe Lady R.
Gjatë muajit nëntor, anijet udhëtuan në çifte, duke kaluar përmes ngushticës së Danimarkës, përgjatë brigjeve të Europës Veriore, më pas pranë Gadishullit Iberik dhe drejt Gjibraltarit. Lëvizjet e tyre u shoqëruan nga mjete ushtarake ruse.
Në fillim të nëntorit, dy prej anijeve, Anastasiia dhe Ascalon, u shoqëruan nga korveta ruse Stoykiy dhe anija ushtarake ndihmëse Yelnya, çka forcoi dyshimet se ato transportonin ngarkesa me rëndësi ushtarake.
Në mesin e nëntorit, katër anijet filluan të fiknin sinjalet e tyre satelitore, me qëllim që të mos gjurmoheshin. Ato i aktivizuan përkohësisht vetëm gjatë kalimit të Ngushticës së Gjibraltarit, ku kërkohet regjistrimi i mjeteve detare. Më 15 nëntor, Anastasiia dhe Ascalon kaluan ngushticën të shoqëruara nga anija Yelnya, ndërsa më pas ndërprenë sërish sinjalet.
Të njëjtën rrugë ndoqën edhe Lady D dhe Lady R. Të enjten e kaluar, ato u panë pranë brigjeve të Tunizisë, së bashku me një anije të pestë ruse, Maya-1. Konvoji shoqërohej nga anija ushtarake Yelnya dhe një fregatë që dyshohet se ishte Golovko.
Duke marrë parasysh shpejtësinë e lëvizjes së anijeve, pritej që ngarkesat ushtarake të mbërrinin në Bengazi të shtunën, në të njëjtën kohë kur ndodhi sulmi ukrainas.
Megjithatë, mbeten ende shumë pikëpyetje për operacionin. Nuk dihet nëse Ukraina i kishte informuar paraprakisht qeveritë europiane për sulmin, duke pasur parasysh afërsinë e tij me ujërat territoriale të vendeve të BE-së, apo nëse ndonjë prej tyre e kishte mbështetur atë. Po ashtu, nuk është bërë e qartë se çfarë përmbante saktësisht ngarkesa ushtarake ruse dhe cili ishte qëllimi i dërgesës drejt Bengazit.
Një tjetër element që mbetet i paqartë është roli i Massad Boulos, të dërguarit të Donald Trumpit në rajon dhe një person i afërt me familjen Haftar, i cili ka mbështetur këtë të fundit në Libi. Sipas raportimit, edhe Vladimir Putin ka pasur marrëdhënie dhe mbështetje për forcat e Haftarit.
Sulmi i fundjavës tregon se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po hyn në një fazë të re, me operacione që nuk kufizohen më vetëm në territoret e dy vendeve apo në Detin e Zi, por po shtrihen edhe në Mesdhe, gjithnjë e më pranë Bashkimit Europian.
Komente