5 urdhër-arreste janë lëshuar për 5 punonjës në sektorin e IT-së (teknologjisë së informacionit), në Departamentin e Administratës Publike, në kuadër të hetimeve për sulmet kibernetike të kryera nga Irani ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online. Konkretisht punonjësit e IT-së, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Rudina Llagami, Igli Lubonja, Albi Gjeka, kanë shpërdoruar detyrën, pasi duhet të kërkonin raportim nga operatori ekonomik që ishte përgjegjës për situatën e sigurisë në faqen e administrata.al edhe për antiviruset që përdoreshin për mbrojtjen e kësaj faqeje.

Sipas Prokurorisë mos veprimi nga ana e punonjësve të IT-së duke shpërdoruar detyrën, ka bërë që sulmi kibernetik i kryer nga Irani, të mos zbulohej në kohë. 5 punonjësit e IT-së u identifikuan nga vetë strukturat e AKSHI-it. Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie, por kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi masën ‘detyrim paraqitjeje’ për 5 punonjësit e IT.

‘Sipas Prokurorisë së Tiranës, punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administrata.al.  Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al. Në rast se këta punonjës, duhet të kishin vepruar duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t. Prokuroria thotë se do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale.’- sqaron zyrtarisht prokuroria.

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar masën ‘arrest shtëpie’ që Prokuroria ka dhënë për 5 punonjësit e IT në kuadër të hetimeve që po kryhen për sulmin kibernetik që Irani ndërmori ndaj portaleve online të vendit tonë. Gjykata e Tiranës vendos ‘detyrim paraqitje’ për 5 të akuzuarit.