Më 17 korrik 2022, Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik i përmasa të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Pak nga pak, tabloja u plotësua nga shtetarët shqiptarë, duke shkuar deri në formulimin e një versioni zyrtar – i cili ende qëndron sot – i agresionit kibernetik nga një shtet i huaj.

Mirëpo, qartësisht, emri i këtij shteti dhe autorësia e saktë e sulmit, nuk është zbuluar.

Dyshimet, sipas vetë kryeministrit Edi Rama, kanë rënë mbi dy shtete, por emra, nuk janë përmendur.

Një përgjigje më të qenësishme gjithsesi, e ka kompania prestigjioze amerikane Mandiant, e cila merret me çështje të sigurisë së lartë kibernetike.

Në një raport të kësaj kompanie të publikuar më 4 gusht 2022, flitet pikërisht mbi sulmin kibernetik dhe thuhet thuajse me siguri se goditja ka ardhur nga shteti i Iranit.

“Ky aktivitet është një zgjerim gjeografik i operacioneve të destabilizimit kibernetik nga ana e Iranit, karshi një vendi anëtar të NATO-s”, shkruhet në raportin e hartuar nga Mandiant.

Të pyetur nga Albanian Post, disa detaje shtesë i ka dhënë Benjamin Read, drejtori i sektorit të analizës së spiunazhit kibernetik pranë kompanisë.

“Ne mendojmë se sulmi është i lidhur me një operacion të zgjatur në kohë, i cili ka qenë i fokusuar mbi grupimin e muxhaedinëve MEK dhe është i linjëzuar me interesat strategjike të Iranit”, shpjegon ai.

Megjithatë, një lidhje e qartë mes qeverisë iraniane dhe grupimit që ka kryer sulmin, nuk është aktualisht i gjindshëm sipas Read.

Më tej, po sipas kompanisë amerikane, qëllimi i vërtetë ka qenë goditja e opozitës iraniane, të njohur si grupi muxhahedin MEK, MKO, i cili do të mbante edhe një konferencë vjetore në datat 23-24 korrik, e cila përfundimisht u anulua pas kërcënimeve të shumta që erdhën.

Teksa, të pyetur për vendodhjen e saktë prej së cilës sulmi ka ardhur, pra nëse ka qenë prej territorit iranian apo gjetkë, Read ka shpjeguar se këto detaje ende nuk janë të gjetura nga kompania.

Në bazë të asaj çfarë shkruhet në raportin e Mandiant, edhe aksioni në media sociale i një grupimi të emërtuar si “HomeLand Justice”, të cilin Albanian Post e ka raportuar disa herë në artikuj mbi çështjen, tregon se ka një lidhje të fortë mes goditjes së Qeverisë dhe ndikimit në opinion publik.

Megjithatë, grupimi HomeLand Justice është i drejtuar nga Shqipëria sipas të dhënave që kompania shpalos, duke hedhur dyshime se pjesëtarë të sulmit mund të gjenden edhe në Shqipëri ose edhe më tej, të jenë vetë shqiptarë.

Në të përmenden si faqja e këtij grupi në web, ashtu edhe ajo në Telegram, ku së fundmi është publikuar një dosje me disa email-e të kryeministrit Rama, por të cilat nuk përmbanin asnjë të dhënë përmbajtësore.

Një faqe në Twitter e grupimit ndërkaq, është pezulluar nga kompania dhe nuk është më e aksesueshme.

Aspekt tjetër shqetësues, duke qenë se dy shtete janë të mundshme si autore të sulmit, në bazë të asaj që kryeministri Rama ka deklaruar, Albanian Post u interesua edhe nëse Rusia mund të përfshirje në këtë çështje.

Read, ka konfirmuar se nuk ka të dhëna për implikim të rusëve në këtë rast.

Teksa, sa i përket ndërhyrjes në të dhënat e faqeve qeveritare, nga Mandiant konfirmojnë se nuk mund të verifikohet prej tyre, se sa rrjedhje të dhënash ka pasur dhe nëse ato janë vjedhur apo fshirë prej autorëve.

Kështu, e gjithë pasqyra momentale tregon thuajse me qartësinë më të madhe se Irani, është shteti përgjegjës për sulmin kibernetik në Shqipëri.

/Albanianpost.com

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.