“Jam thellësisht e tronditur nga lajmi për të shtënat në shkollën në Austri. Çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt në shkollë dhe të jetë në gjendje të mësojë pa frikë dhe dhunë. Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe popullin austriak në këtë kohë të errët”- Ky është reagimi i përfaqësueses së Lartë e BE-së Kaja Kallas në X, për sulmin me armë në një shkollë të Austrisë ku humbën jetën disa persona.

Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, e cila gjithashtu u prek nga “lajmi i tmerrshëm dhe tragjik” për të shtënat në shkollën në Graz, shprehu “ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetit në emër të Evropës.

Një nxënës hapi zjarr në një shkollë në Grac duke shkaktuar vdekjen e të paktën nëntë personave, raportoi sot media austriake, përfshirë faqen e internetit të gazetës së përditshme ”Heute”.

Sipas zëdhënësit të policisë Fritz Grundnig, autori i dyshuar u vetëvra.

Policia po i kërkon popullsisë të shmangë zonën përreth shkollës dhe të ndjekë udhëzimet e forcave të sigurisë.

“Situata është e sigurt. Nuk ka rrezik të mëtejshëm”, shkroi policia në platformën e mediave sociale X.

Policia tha se të shtënat ndodhën në një shkollë të mesme rreth orës 10:00 (08:00 GMT) dhe njësitë speciale reaguan shpejt në vendngjarje.

”Ndërtesa u evakuua, ndërsa nxënësit dhe mësuesit u shoqëruan në një vend të sigurt”, tha policia.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *