Tirana Zoo Park, i cili çeli dyert për të gjithë vizitorët këtë të shtunë, ka pritur shumë vizitorë, simpatizantë të kafshëve dhe të shpendëve të egra.
Mirëpo jo të gjithë janë kaq dashamirës ndaj botës së egër, pasi një video të siguruar nga Report Tv, shihet një qytetar i cili qëllon me gurë nga rruga tigrin dhe luanin. Ai shihet duke qëlluar pa ndonjë shkak në drejtim të vendit ku ndodhet luani. Ndërkohë, të tjerë vizitorë i kanë shkulur dhëmbët disa instalacioneve të vendosura si simbol i kafshëve të zhdukura.
Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë të tij. Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty. Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.