Nga: Petro Koçi
Jemi në prag të investimit të tretë të energjisë politike dhe njerëzore të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Një përgjegjësi madhore kombëtare, shtetërore dhe morale qeverisëse.
Një nga sfidat e këtij mandati të ri është performanca e administratës dhe bashkë me të lufta ndaj korrupsionit.
Para më pak se një muaj i dhashë zë politik një fenomeni prepotent në Fier, zgjatjes së duarve të botës së krimit në financat publike. Bëra një deklaratë të cilës nuk i heq asnjë presje. Hodha në publik një britmë të vetë publikut.
U munduan të ma komprometonin. Disa u vërsulën ta përkthenin në larje hesapesh, të tjerë në çështje personale, të tjerë si përpjekje për kompromis të pisët. U fut në lojë dhe Saliu duke me përzier me standartin e tij që me 200 mijë euro fshin prapanicën e vet.
U përshfaqën disa pale politikomediatike me interesa të caktuara financiare në treg. Sigurisht po t’i përkisja ndonjë interesi të tillë do isha një gojëmbyllur i rëndomtë. Por, si ja kam thënë edhe Sali mavrisë, kam vendosur të vdes qytetar e njeri e jo i pasur.
Palët nga nxitimi nxorën në shesh një sëre aferash me interes për agjencitë e zbatimit të ligjit. Edhe për vete SPAK-un me të cilin pata nderin të kontaktoj.
Çuditërisht administrata e shume agjencive shtetërore që veprojnë në Fier reagoi politikisht kundër këtij denoncimi. U bënë përpjekje që të futej në krizë marrëdhënia organizative në PS. Fenomeni që denoncova nuk po frenohet akoma. Përkundrazi. Por, gjithsesi nuk ka vend për pesimizëm. Mandati i tretë nuk ka filluar. Por ka vend për të identifikuar fenomene të cilat duan analizë.
Administrata duket qartazi një formacion që përpiqet të kapë politikën, pra zëdhënien dhe instrumentin kushtetues në pronësi të qytetarëve. Ose të paktën të hyje në konflikt të qartë interesi me politiken dhe partitë.
Kur fillova detyrën e Kryetarit të PS në Fier e vendosa administratën kundër. Edhe pse një pjesë e saj ishte brenda strukturës drejtuese të partisë. E dija që do kisha kosto. Bile u çudita që arrita të marr aq vota si individ në zgjedhje. Kisha ushtrinë e administratës kundër. Prisja shumë më pak vota.
Por, kjo i dha shpresë njerëzve se diçka po ndryshonte. U krijua besimi se niveli i shërbimeve do vinte në lartësinë e moralit të ligjit, larg kthetrave të Maliqit.
Kjo ishte një nga arsyet që rezultati në Fier ishte më i miri në gjithë qarkun.
Tani që t’i rikthehemi problemit: Si zgjidhet konflikti i interesit mes administratës dhe partive, apo mes administratës dhe pushtetit të zgjedhur. Për këtë mendoj se ka nevoje për reforma statusore dhe ligjore të forta.
Te shpëtosh nga ky konflikt interesi është njëra nga rrugët për të luftuar korrupsionin në jetën publike.
PS është instrument politik në krah të qytetarëve.
Mandati i tretë i energjisë Rama po afron!